Izraeli optimist për ndeshjen ndaj Shqipërisë

schedule17:19 - 14 Tetor, 2018

schedule 17:19 - 14 Tetor, 2018

Izraeli ka dëmtime, por mbetet optimist për ndeshjen e sotme. Trajneri Hercog i bën thirrje lojtarëve t’i tregojnë Shqipërisë se ç’do të thotë të luash në Izrael.

U nda me një shtrëngim duarsh dhe me mendjen tek revanshi. Trajneri i Izraelit, Andreas Hercog, nuk e ka harruar humbjen në debutimin e tij në detyrë, në “Elbasan Arena”, dhe do të përpiqet të hakmerret ndaj Shqipërisë sonte në mbrëmje. Ndërsa kënaqet me detin në hotelin e ekipit në Haifa, austriaku mendon sesi duhet të luajë në qytetin e ngritur në këmbët e Malit Karmel, të mbiquajtur Vreshtat e Zotit. Suksesi 2-1 me përmbysje ndaj Skocisë ishte një plus i madh për skuadrën izraelite, që tani ka shanse të vërteta për kualifikim, ndonëse do të duhet të përsërisë veten ndaj Shqipërisë.

“Fitorja ndaj Skocisë ishte një lumturi e vërtetë, – tha Hercog, – I përgëzova lojtarët për lojën, sidomos në 50 minuta, por u thashë edhe se duhet të përqëndrohemi tek ndeshja e radhës. Duhet të mësohemi të luajmë dy ndeshje në javë, nëse duam të kemi sukses. Shqipëria është e ndryshme nga Skocia, ndaj nuk mund të bëjmë krahasime. Gjithsesi, duhet t’i tregojmë kundërshtarit sesa e vështirë është të luash në fushën tonë”.

Izraeli mund të ketë në formacion Tomer Hemedin, që pati probleme dëmtimi ndaj Skocisë, ndërsa po ashtu titullar pritet të jetë veterani i mesfushës, Dor Perec, autor goli ndaj skocezëve.
Hercog ka shqetësimin e dëmtimeve të Manor Solomonit dhe Eran Zahavit. Izraeli jepet favorit nga kompanitë e basteve, me koeficientin 1.95 për fitore, barazimi kuotohet 3.2, ndërsa fitorja e Shqipërisë, 4.4./abcnews.al