Uragani “Leslie” prek Portugalinë, mijëra banorë pa energji elektrike

schedule21:40 - 14 Tetor, 2018

schedule 21:40 - 14 Tetor, 2018

Uragani Leslie që ka prekur Portugalinë, është shndërruar në stuhi tropikale. Uragani ka shkaktuar dëme të shumta materiale dhe kanë lënë pa energji elektrike mijëra banorë.

Pas largimit nga ishujt Kanarie, fuqia e uraganit “Leslie”, u zvogëlua duke u shndërruar në një stuhi tropikale, dhe arriti në brigjet e Portugalisë me erëra deri në 190 kilometra në orë. Kjo është raportuar nga mediat lokale dhe ato ndërkombëtare. Qyteti i parë që u godit ishte Figueira da Foz, rreth 200 kilometra në veri të Lisbonës. Sipas Qendrës Kombëtare të Uraganeve në SHBA dhe agjencive të motit spanjolle dhe portugeze, stuhia do të lëvizë për në verilindje të Gadishullit Iberik.

Parashikohen në Spanjë erëra deri në 100 kilometra në orë dhe shira të forta, deri në 75 litra për metër katror në 24 orë. Menjëherë është vendosur alarmi i kuq dhe portokalli në 39 provinca, si dhe në Ceuta dhe Melilla. Stuhia, më e keqja që goditi Portugalinë që nga viti 1842, detyroi autoritetet të anullonin 29 fluturime nga aeroportet e Lisbonës dhe Madeiras, dhe 12 të tjerë në Porto.
Mbi 15 mijë shtëpi në Portugali janë pa energji elektrike, veçanërisht në rrethin e Leiria-s, Setubalit dhe Lisbonës. Kjo është raportuar nga mediat portugeze. Mbrojtja civile ka ftuar popullatën të qëndrojë në shtëpi përveç në rastet e nevojës ekstreme dhe të mos i afrohet brigjeve, ku dallgët mund të jenë shumë shumë të larta dhe të fuqishme. Qindra raste përmbytjeje dhe rrëzimi të pemëve janë sinjalizuar në numrat e emergjencës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!