Zinedine Zidane do të nisë një aventurë të re në verë. Trajneri francez ka vendosur të largohet nga Real Madrid, vendim që e ka marrë shumë kohë më parë.
TeleMadrid raporton se burime pranë kampionëve në fuqi të Spanjës janë shprehur se Zizou do të largohet në fund të sezonit nga drejtimi i skuadrës.
Problemet e shumta, dëmtimet e njëpasnjëshme dhe kritikat konstante sa herë që gjërat nuk shkonin mbarë, kanë ndikuar që 48-vjeçari të ndajë mendjen.
Zidane po përjeton aventurën e dytë si trajner i Realit, ekip të cilin e ka udhëhequr në 11 trofe si teknik, ku bien në sy tre sukseset radhazi në Champions (2016,2017,2018).
E ardhmja? Në “pole-position” qëndron Juventusi, klub ku kaloi disa nga vitet më të bukura të karrierës së lavdishme si futbollist. /abcnews.al