Përplasjet e dhunshme Izrael Palestinë, a mundet BE të zbusë tensionet?

schedule14:34 - 14 Maj, 2021

schedule 14:34 - 14 Maj, 2021

Nga Sandrine Amiel, euronews

Diplomati i lartë i BE-së ka bërë thirrje t’i jepet fund dhunës së vazhdueshme në Izrael dhe territoret palestineze pas 5 ditë sulmesh shkatërruese. Të paktën 69 njerëz kanë mbetur të vdekur deri më tani në Rripin e Gazës që kur dhuna u përshkallëzua të hënën, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa zyrtarët mjekësorë thanë se shtatë njerëz janë vrarë në Izrael.

Mijëra izraelitë kaluan natën në gërmadha mes sulmeve me raketa në Tel Aviv, ndërsa dhuna  shpërtheu në qytetet  izraelite. Të martën, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Josep Borrell ka bërë thirrje që dhuna të marrë fund: “Dhuna në Izrael dhe  Palestinë duhet të ndalet,” tha ai në një deklaratë zyrtare.

Duke shtuar se BE ishte “tronditur” nga numri i viktimave civile, përfshirë fëmijët, ai tha: “Hedhja pa kriter e raketave nga Hamas dhe grupe të tjera drejt civilëve izraelitë është e papranueshme. Ndërsa njohim nevojën legjitime të Izraelit për të mbrojtur popullsinë e saj civile, kjo përgjigje duhet të jetë proporcionale dhe me përmbajtje maksimale në përdorimin e forcës, raporton abcnews.al

Liderë të tjerë europianë gjithashtu kanë bërë thirrje për t’i dhënë fund konfliktit dhe kanë bërë thirrje për paqe.

“Jam shumë i shqetësuar nga rritja e dhunës. Prioriteti duhet të jetë de-përshkallëzimi dhe parandalimi i dhunës dhe viktimave civile nga të dy palët,” shkroi të mërkurën Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel.

Por përveç deklaratave, a mund të ketë apo do të ketë BE një ndikim  në adresimin e këtij shpërthimi ose konfliktit prej dekadash mes dy vendeve?

Euronews shqyrtoi qasjen e Europës ndaj sagës Izrael-Palestinë  nëse blloku mund të luajë një rol në zbutjen e situatës.

Si kanë reaguar vende të ndryshme të BE-së ndaj konfliktit?

Kryeqytetet europiane kanë pikëpamje të ndryshme mbi situatën Izrael-Palestinë.  Gjermania ka qenë prej kohësh një nga aleatët më të afërt të Izraelit në Europë. “Sulmi me raketa ndaj Izraelit është absolutisht i papranueshëm dhe duhet të përfundojë menjëherë,” tha Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Mass.

“Izraeli ka të drejtë për vetëmbrojtje. Kjo përshkallëzim i dhunës nuk mund të tolerohet as të pranohet.”

Ndërkohë, Franca ka një qasje më të ekuilibruar. Ministria e Jashtme tha se “dënonte me forcë” sulmet me raketa nga Rripi i Gazës “në shkelje të ligjit ndërkombëtar” ndërsa i cilësoi dëbimet me forcë të banorëve në Jeruzalemin Lindor si “të paligjshme”.

“Ata që thonë se është një agresion izraelit kundër Palestinës ose e kundërta gabojnë,” tha Zëvendës Ministri Francez për Punët e Jashtme, Clément Beaune, në televizionin Francez.

Ai shtoi se SHBA si aleati më i afërt i Izraelit duhet ta përfshijë veten në mënyrë më efektive: “Është e qartë se ata kanë ende komandën kryesore diplomatike, edhe nëse Europa duhet të jetë më e përfshirë.”

Gjatë viteve të fundit, Kryeministri Benyamin Netanyahu gjithashtu ka kërkuar të ketë marrëdhënie më të ngushta me kombet e Europës Lindore të gatshme t’i sigurojnë Izraelit një mbështetje të fortë, edhe pse qeveritë e disa vendeve të Grupit Visegrád po përballen me akuza për nxitjen e antisemitizmit në vend.

Si rezultat, kur administrata amerikane nën Presidentin Donald Trump njohu Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit, Hungaria, Republika Çeke dhe Rumania kritikuan vendimin.

Cili ka qenë roli i BE-së ndër vite?

BE ka mbështetur prej kohësh një zgjidhje mes dy shteteve të konfliktit Izrael-Palestinë.

“BE qëndron e palëkundur në mbështetjen e saj jo vetëm për dy shtete por për marrëveshjet e paqes në mes të viteve 1990,  Marrëveshjet e Oslos dhe procesin e paqes,” tha ai.

Sidoqoftë, Lovatt nuk pret që BE të ketë një rol aktiv në ndërmjetësimin midis Izraelit dhe Territoreve Palestineze në ditët ose javët e ardhshme, në përputhje me pozicionin e tij relativisht të përmbajtur në të kaluarën dhe gjatë luftës së 2014.”

“Ata që luajnë një rol kryesor ndërmjetësues janë ata që kanë kontakte më të ngushta: Egjipti, Katari dhe OKB. Nuk ka mungesë të ndërmjetësuesve dhe ky rol i kufizuar është ai që BE ka pranuar me dëshirë.”

Në vend të kësaj, megjithëse nuk janë zhvilluar ende takime zyrtare për të diskutuar këtë, BE pritet të ndërhyjë në formën e ndihmës humanitare në Gaza ose gjatë konfliktit ose pasi konflikti të qetësohet. BE është donatori më i madh i vetëm për Autoritetin Palestinez dhe që nga viti 2000, Komisioni Europian ka siguruar 700 milion euro ndihmë humanitare për Palestinezët në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor, raporton abcnews.al

“Pas çdo konflikti në Gaza ka gjithmonë një konferencë për të mbështetur ri-zhvillimin dhe rindërtimin. BE-ja ka provuar gjithmonë gatishmërinë e saj për të siguruar mbështetje dhe është një nga aktorët e paktë që në të vërtetë realizon premtimet e tij.

“Kjo do të ishte përgjigja më e natyrshme europiane ndaj këtij konflikti – pavarësisht se është e pamjaftueshme.” Përktheu Sonila Backa-abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!