Në Suedi ka dështuar përpjekja e radhës për formimin e qeverisë së re, pas zgjedhjeve të shtatorit. Partitë që bëjnë pjesë në bllokun Aleanca kanë refuzuar propozimin e kreut të partisë të Moderuarit për një qeveri të vogël.
Në Suedi ka dështuar përpjekja e radhës për të dalë nga ngërçi politik që ka përfshirë vendin që prej zgjedhjeve të shtatorit. Kanë qenë dy partitë e qendrës së djathtë që kanë refuzuar kërkesën e liderit të partisë të Moderuarit, Ulf Kristerson, për të formuar qeverinë. Asnjë nga fraksionet politike, qoftë blloku i djathtë e as ai i majtë nuk kanë fituar mjaftueshëm vota në zgjedhjet e shtatorit për të formuar qeverinë dhe të gjitha kanë përjashtuar ndërkohë mundësinë e bashkëpunimit me partinë anti-emigracion Demokratët e Suedisë, që kanë në dorë balancën e pushtetit. Kristerson, i ngarkuar me detyrën e formimit të qeverisë, deklaroi se ishte përgatitur për të ftuar për bashkëpunim jo të katërta partitë e bllokut të tij, i njohur si Aleanca.
Por kreu i liberalëve, Jan Bjorklund tha se nuk do të mbështesë kurrë një qeveri të përbërë vetëm nga të Moderuarit dhe Kristian-Demokratët. “Një qeveri e përbërë vetëm nga kristian-demokratët dhe të moderuarit do të jetë e dobët dhe vendi do të rrezikojë të shkojë në zgjedhje të parakohshme, nga të cilat populistët do të dalin më të fortë”, deklaroi Bjorklund. Në të njëjtën linjë, kryetarja e qendrës Ani Lof, gjithashtu pjesë e Aleancës, u shpreh se në marrëveshje duhet të përfshihen të gjitha partitë. Të gjitha partitë politike në Suedi kanë refuzuar deri më sot çdo marrëveshje të mundshme me Demokratët e Suedisë, parti që i ka rrënjën në supremacinë e bardhë. Kjo e fundit ka refuzuar nga ana e saj të mbështesë çdo qeveri që nuk i jep të drejtë në vendimmarrje./abcnews.al