Në studion e “Refleksione” Majlinda Bregu e cila aktualisht drejton Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal ka komentuar zgjerimin Europian ku bën pjesë edhe Ballkani Perëndimor. “Unë besoj që ka dy koncepte ose të paktën dy qasje sa herë që ne flasim dhe pyetemi për Europën.
Një pjesë është ajo e vokacionit të vendeve tona të cilat duhet ti bashkohen BE dhe mbase për shqiptarët mbase me një ndjesi pak më të dashur. Pra vjen prej faktit që shqiptarët nuk kanë qenë ndonjëherë në kërcënim për të patur një identitet europian.
Megjithatë Europa besoj se është më shumë një gjendje mendore për fatin e mirë për të gjitha vendet që duan ti bashkohen Europës ka ende një përqindje të lartë të dëshirës për të qenë pjesë e saj. Por është e vërtetë nga ana tjetër që Europa si kontinent nuk ka ngelur e paprekur nga kriza.
Nga njëra anë është Europa e mendimit politik apo ajo Europa e vlerave, Europa të cilën ëndërrojmë të gjithë, Europa e standardeve të stilit të jetesës më të mirë dhe nga ana tjetër është Europa që filloi të imitonte një sistem të rënduar institucionesh dhe kjo e ka bërë shkëputjen nga mendimi apo vendimmarrja politike.
E ka bërë sot Europën që herë pas here të duket sikur e ka më të vështirë për tu dhënë zgjidhje problemeve të ndryshme, duke mos lënë mënjanë që është prekur nga kriza të mëdha“, u shpreh Bregu.
“Vetëm së fundmi duke iu referuar krizës financiare të 2008-tës dhe më pas Brexit apo kriza e refugjatëve, qoftë edhe pandemia së fundmi e kanë tronditur Europën. Unë shpresoj shumë që të ketë një qartësi se Europa si kontinent nuk mund të jetë e fortë dhe tu bëj ballë krizave të mëdha, të cilat mund ta prekin herë pas here.
E para, pa pasur një përcaktim të qartë që kontinenti nuk është vetëm vendet anëtare të BE, pra kontinenti europian është shumë i gjerë, është edhe Ballkani Perëndimor. Por dhe nga ana tjetër ka një domosdoshmëri të madhe për të rifituar edhe një herë dëshirën lidershipin dhe vendimmarrjen politike.
Lënia peng e proceseve të mëdha, qoftë edhe ai i procesit të zgjerimit, e teknikaliteteve, e letrave, e burokracive, e metodologjive e ka larguar atë nga procesi politik dhe për mua besoj që Europa, por edhe e gjithë bota ka nevojë për të qenë të qartë me vizion politik”, shtoi Bregu./ Abcnews.al