Maqedoni, ndryshimet kushtetuese kalojnë pengesën e parë në Parlament

schedule22:18 - 12 Tetor, 2018

schedule 22:18 - 12 Tetor, 2018

Komisioni parlamentar për çështjet kushtetuese në Maqedoni ka miratuar të premten nisjen e procedurave për ndryshimet kushtetuese që rrjedhin nga marrëveshja me Greqinë. Gjatë seancës së komisionit, kryeministri Zaev ka përsëritur thirrjet për votimin e marrëveshjes, ndërsa opozita është shprehur sërish kundër saj.

Me 10 vota “për” dhe 7 “kundër”, Komisioni për cështje kushtetuese miratoi konkluzën që Kuvendi ta përkrah propozimin e Qeverisë për ndryshime kushtetuese. Kuvendi urdhëroi Qeverinë që në afat prej 15 ditësh të përgatisë propozim-tekstin për amendamentet kushtetuese. Kryeministri I Maqedonisë Zoran Zaev edhe njëherë ju bëri thirrje deputetëve të opozitës që ti votojnë ndryshimet kushtetuese.

Zoran Zaev – Kryeministër i Maqedonisë: “Ia vlen të mendohemi. Është shumë e lehtë të themi “jo”, por e dimë se një marrëveshje tjetër nuk është e mundur. As më e mirë e as më e keqe. Nëse jemi për ardhmërinë e brezave të tanishëm e të ardhshëm, ejani të bartim përgjegjësitë”.

Derisa pozita vazhdon ta mbajë pasigurinë deri të hënën, nga opozita thonë se në vend të ndryshimeve kushtetuese po përgatiten për zgjedhje të parakohshme. Ata i kanë qujatur të turpshme këto ndryshime.

Trajço Dimkov – Deputet i VMRO DPMNE-së:  “Ne jemi pro BE-së dhe NATO-s, por jemi kundër ndryshimit të Kushtetutës për ndryshimin e emrit kushtetues të Maqedonisë. Dita më e turpshme në historinë e Maqedonisë është të kërkosh hapjen e kushtetutës, me qëllim që të ndryshosh emrin”.

Seanca e parlamentit të Maqedonisë është caktuar për të hënën. Që të miratohet vendimi për ndryshimet kushtetuese nevojitet shumica prej dy të tretave. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!