Linda Karadaku-Emisioni Ballkan
Zyrtarët e lartë të vendeve të Ballkanit, në veçanti, kryeministrat, kanë qenë në shënjestër të kërcënimeve, shpesh, për shkak të vendimeve apo proceseve që kanë ndërmarrë apo kryesuar, në raste të tjera, nuk ka qenë e qartë nëse vërtetë janë kërcënuar. Zëvendëskryeministri I Malit të Zi Dritan Abazovic, u kërcënua së fundmi, sipas burimeve zyrtare malazeze nga një grup kriminal i quajtur Kavaç. Në prill të këtij viti, ministria e brendshme malazeze njoftoi se kishte sinjale se anëtarët e grupit kriminal Kavaç po planifikonin sulm ndaj Abazoviçit.
“Në këtë rast të veçantë, informacioni i mbledhur tregon qëllimin e anëtarëve të grupeve të organizuara kriminale, kryesisht anëtarëve të grupit të organizuar kriminal Kavaç për të ndërmarrë aktivitete që synojnë kryerjen e krimit të rëndë dhe të organizuar si reagim ndaj privimit të tyre nga liria dhe ndjekja penale, duke rrezikuar jetën e zëvendëskryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviç”, deklaroi ministria e brendshme malazeze.
Anëtarët e grupit Kavaç janë pjesë e strukturave më të gjera rajonale, me lidhje shumë të forta në nivele të ndryshme, tipari kryesor i të cilave është kryerja e krimeve shumë të rënda, thanë zyrtarët malazezë, duke theksuar se çdo veprimtari që synon rrezikimin e integritetit fizik të zyrtarëve të lartë të shtetit do të destabilizonte situatën shumë komplekse të sigurisë në Mal të Zi.
Kërcënimet u bënë pas arrestimit të Slobodan Kashçelanit në qytetin bregdetar të Kotorrit. Kashçelan ishte drejtues i një grupi kriminal, i përfshirë që nga viti 2015 në një luftë të përgjakshme me një bandë rivale për kontrollin e kontrabandës së kokainës nga Amerika e Jugut. Zyrtarët malazezë patën deklaruar se banda kishte përhapur frikë dhe gjakderdhje në Ballkan dhe në të gjithë Evropën. Dy bandat kishin filluar sulme vdekjeprurëse kundër njëra-tjetrës në Mal të Zi, Serbi dhe Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe në vendet evropiane Greqi, Spanjë dhe Itali.
Në Serbi, në vitin 2017, Departamenti për Krimin e Teknologjisë së Lartë bëri hetime lidhur me kërcënimet për vrasje drejtuar Aleksandër Vucicit, në atë kohë, kryeministër i Serbisë. Kërcënimet ishin hedhur në rrjetet sociale nga e ashtuquajtura “Dora e Zezë.” “Crna ruka” apo “Dora e Zezë”, kishte deklaruar në profilin e saj në Facebook se po organizonte një “gjueti publike” kundër kryeministrit Vucic, i cili, sipas tyre, u përpoq të hakmerrej ndaj Radomir Poçuçës, ish-drejtuesi i TV Pink, i cili u arrestua sepse kishte qenë një nga serbët që shkuan për të luftuar në Ukrainë në krah të forcave pro-ruse.
Dora e Zezë deklaroi se synonte “likuidimin e tij fizik” dhe se “gjithë fuqia njerëzore dhe fondet në dispozicion të organizatës ishin mobilizuar”.
Ministri i brendshëm serb Nebojsha Stefanoviç pati thënë se Departamenti për Krimin e Teknologjisë së Lartë po hetonte lidhur me kërcënimet me vdekje të bëra kundër Aleksandar Vuçiç.
Dora e Zezë, që operonte me motivin “Bashkim ose vdekje”, ishte një organizatë e fshehtë revolucionare e përbërë nga oficerë dhe ish-komplotistë qëllimi i të cilëve ishte çlirimi kombëtar dhe bashkimi i territoreve të banuara nga serbët.
Një organizatë e fshehtë e njerëzve që përfaqësonin çetnikët ose ishin të lidhur me propagandën serbe në kohën e pushtimit osman. Bërja e betimit në kryq, ritualet nën maska, kushtetuta dhe stema në të cilën dora mban një flamur me kokën dhe eshtrat e një kufome, pranë së cilës është një bombë, kamë dhe një shishe helm, janë vetëm disa nga simbolet, ritualet dhe mitet e Dorës së Zezë.
Fytyra më e spikatur e Dorës së Zezë ishte Dragutin Dimitrijevic Apis – një kolonel dhe komplotist. Fillimi i fundit për këtë organizatë sekrete filloi në 2 Prill 1917, me procesin e Selanikut – gjyqin politik, i cili përfundoi në qershor të të njëjtit vit me pushkatimin e tre anëtarëve kryesorë të saj, Apis, Ljubomir Vulovic dhe Rade Malobabic.
Por të gjithë u rehabilituan pas Luftës së Dytë Botërore në Jugosllavinë socialiste, në qershor 1953. Ajo u themelua nga Bogdan Radenkovic – një përfaqësues politik i serbëve në Perandorinë Osmane dhe profesor në Shkup. Ai u lidh me anëtarët e aksionit çetnik serb – një formacion i armatosur që vepronte në Rashkë, Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut. Patën përplasje edhe me komitetet bullgare, me atë që u quajt më vonë Organizata e Brendshme Revolucionare Maqedonase.
Baza e Dorës së Zezë ishte në garnizonin e Beogradit, por ishin gjithashtu të shpërndarë në të gjithë Perandorinë Osmane dhe Austro-Hungarinë.
Disa nga anëtarët e Dorës së Zezë morën pjesë në grushtin e shtetit të 10 dhe 11 qershorit 1903 kur një grup komplotistësh të udhëhequr nga oficerë të lartë bënë një grusht shteti dhe vranë Mbretin Aleksandar Obrenovic dhe Mbretëreshën Draga Mashin. Pas shpërthimit të Luftës së Parë Ballkanike në tetor 1912, formacionet çetnike vepruan në përputhje me politikën shfarosëse dhe gjenocidale të shtetit serb, ndërsa pas përfundimit të saj, në maj 1913, ndodhi konflikti i parë serioz midis kryeministrit Nikolla Pashiç dhe kolonelit Apis të Dorës së Zezë. Regjenti Aleksandar Karagjorgjeviç u bë mbret dhe mbështeti Dorën e Zezë, edhe financiarisht.
Vetëm pak ditë më vonë, në 28 qershor 1914, në Sarajevë u vranë trashëgimtari austro-hungarez i fronit Franz Ferdinand dhe gruaja e tij Sofia, gjë që çoi në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore. Vrasjet u organizuan nga organizata serbe Mlada Bosna dhe anëtarët e saj, dhe Gavrilo Princip ishte ai që tërhoqi këmbëzën. Koloneli Apis u arrestua pas luftës dhe më pas, u arrestuan edhe dhjetra anëtarë të tjerë të Dorës së Zezë. Ata u gjykuan në Selanik në prill 1917 për vrasjen e trashëgimtarit të fronit dhe sepse i përkisnin një organizate subversive. Dragutin Dimitrijevic Apis, Ljubomir Vulovic dhe Rade Malobabic u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan afër Selanikut.
Dragutin Dimitrijevic Apis dhe njerëzit me dorë të zezë u rehabilituan nga autoritetet e reja komuniste në Jugosllavi në qershor 1953. Në Kosovë, kryeministri Albin Kurti është kërcënuar gjithashtu. Një person me llogarinë Daniel Arianitti, në Facebook kishte shkruar se jepte një shpërblim prej 10 milionë eurosh në këmbim “të kokës së Albinit” dhe e kishte krahasuar atë me ish-liderin e Kubës, Fidel Castro. “10 milionë euro kush ma sjell kokën e Albinit, Fidel Castros, psikopatit shqiptar”, kishte shkruar ai në Facebook. Kërcënimin ndaj Albin Kurtit e kishte denoncuar në polici Lëvizja Vetëvendosje.
Kurti ishte kërcënuar edhe më parë përmes rrjeteve sociale. Në maj të vitit të kaluar, ndodhi edhe një rast tjetër. Albin Kurti, në atë kohë kryeministër në detyrë, deklaroi se ishte kërcënuar nga e ashtuquajtura “Garda Vullnetare Shqiptare”. Kurti pati thënë gjithashtu se ky nuk ishte kërcënim ndaj tij, por ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe në veçanti, ndaj Kryetares së Gjykatës, Arta Rama-Hajrizi dhe Gjyqtarit Raportues të çështjes KO 72/20, Nexhmi Rexha. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci i ishte kundërpërgjigjur duke thënë se komunikata e ‘Gardës Vullnetare Shqiptare’ ishte shkruar nga vetë Kurti në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje.
Në Maqedoninë e Veriut, shumë deputetëve iu dha mbrojtje e afërt policore pas miratimit të marrëveshjes së Prespës. Mediat raportuan se 80 deputetë dhe familjet e tyre kishin marrë paralajmërime për hakmarrje, përfshirë kërcënime me vdekje, që nga votimi për ndryshimin e emrit të vendit. Në ta përfshiheshin edhe tetë deputetë të cilët votuan në krahun e Zoran Zaev, duke krijuar shumicën e nevojshme të dy të tretave.
Vetë Zaev ishte kërcënuar disa herë. Një 67 vjeçar me inicialet V.Z. nga Shkupi u procedua penalisht në vitin 2019 për postimin e një komenti në Facebook me përmbajtje kërcënuese ndaj kryeministrit Zoran Zaev, dhe kryerjen e veprës penale “rrezikim i sigurisë”. “Vetëm një plumb për ty bastard, që unë do t’ua fishkëllej pa mu dridhur qerpiku” shkruhej në mesazhin kërcënues që Zaev lexoi nga telefoni i tij celular para deputetëve në parlament. Zaev kishte deklaruar se identiteti i njeriut që e shkruajti mesazhin është i njohur dhe se rasti u raportua në Ministrinë e Brendshme. Edhe kreu i partisë kryesore të opozitës VMRO DPMNE në Maqedoninë e Veriut, Hristijan Mickoski, kishte deklarime të ngjashme. Ai tha se kur partia e tij zbuloi një mashtrim për falsifikim të pasaportave që përfshinte policinë, ai dhe njerëzit e tij kishin marrë kërcënime të rënda.
“Unë nuk e di nëse mafia po na kërcënon apo jo, por numrat e çuditshëm të telefonit po dërgojnë mesazhe të ndryshme, njerëz të çuditshëm po afrohen, emaila të çuditshëm, letra të çuditshme, në ditët e fundit. Disa numra telefoni janë nga disa vende fqinje, si Rusia, etj,” pati thënë Mickoski. Opozita e Mickoskit kishte informuar gazetarët në lidhje me mashtrimin e falsifikimit të pasaportave, që përfundoi me arrestimin e nëntë oficerëve të policisë, të dyshuar për përfshirje në lëshimin e më shumë se 200 pasaportave të rreme për të huajt dhe kriminelëve në kërkim nga rajoni, për 20,000 euro secila.
Pavarësisht se është e vështirë të përcaktohet qartë sesa të rrezikshme kanë qenë ose janë këto kërcënime, një gjë dihet me siguri. Kërcënime të tilla që kanë përfunduar me vrasje kanë ndodhur në rajon, sic ishte ai i kryeministrit të ndjerë serb Zoran Gjingjiç i cili u vra më 12 mars të vitit 2003 në oborrin e ndërtesës së qeverisë së Serbisë. Për vrasjen e tij u dënua me 40 vjet burg oficeri i Njësisë për operacione speciale, Departamenti për siguri të shtetit Zvezdan Jovanoviç dhe komandanti i Njësisë për operacione speciale, Millorad Ulemek. Pati disa pista hetimi, që nga fakti se qeveria serbe gjatë mandatit të tij u angazhua për bashkëpunim me Tribunalin e Hagës, përfshi arrestimin dhe ekstradimin e disa të akuzuarve, në mesin e të cilëve edhe Sllobodan Millosheviçin, deri tek mafia. Megjithatë, prapavija politike e vrasjes së tij, nuk u zbulua kurrë./ Abcnews.al