Gjermani, kompanitë paralajmërojnë stafet para zgjedhjeve

schedule23:16 - 12 Tetor, 2018

schedule 23:16 - 12 Tetor, 2018

Kur mungojnë pak ditë nga zgjedhjet rajonale, sipërmarrjet më të fuqishme në Gjermani kanë paralajmëruar stafet e tyre që të distancohen nga populistët. Kompanitë u kanë bërë të qartë punëtorëve se politikat populiste nuk do të çojnë vendin përpara, por do të rrënojnë industritë strategjike të Gjermanisë.

Kompani prestigjoze në Gjermani kanë paralajmëruar punonjësit e tyre që të mos votojnë populistët në zgjedhjet rajonale që do të mbahen së shpejti në dy lande. Prodhuesi i mjeteve motorike ajrore “MTU Eir”, me seli në Mynih, i ka shpërndarë stafit një mesazh. Edhe pse në të nuk përmendet emri i partisë anti-emigrantë Alternativa për Gjermaninë, mesazhi vë në dukje shqetësimin që korporatët kanë nga rritja e ndikimit të populistëve, të cilët i perceptojnë si një kërcënim për stabilitetin e vendit. APD, që në landin e Bavarisë ka bërë fushatë me sloganin “Shteti ynë, atdheu ynë” pritet të dalë më e fortë nga zgjedhjet rajonale që mbahen të dielën. “Parullat populiste nuk e çojnë vendin tonë përpara. Përkundrazi, ato sulmojnë vlerat tona deri në bërthamë”, thuhet në mesazhin e “MTU Eir”. Kompania vlerëson se industritë strategjike të Gjermanisë mbështeten në kushtet e krijuara nga një politikë e qëndrueshme. Të kontaktuar nga mediat, drejtorët e grupit kanë deklaruar se nuk po u sugjerojnë punonjësve të tyre për kë të votojnë, por që të votojnë me përgjegjshmëri. Alternativa për Gjermaninë është promovuar në mbarë Gjermaninë me retorikën e saj anti-islamike dhe kritikat në adresë të kancelares Angela Merkel për politikën e saj për emigracionin. Bavaria është një nga zonat më të nxehta në këtë aspekt, pasi atje ndodhet pjesa dërrmuese e 1.5 milion azilkërkuesve që arritën në Gjermani në 3 vitet e fundit. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!