Nga Xhensila Kodra
Ky është momenti kur Marius Dema qëllon me pistoletë Mehmet Qemën, teksa ndodheshin të ulur në lokalin e marrë me qira nga autori. Siç shihet edhe në pamje, 28 vjeçari mban armën në dorë duke luajtur me të. Në një moment ja drejton pistoletën Qemës. Ky i fundit ndodhet shumë pranë autorit dhe i ngre dorën për t’u mbrojtur.
27 vjeçari Mehmet Qema u vra aksidentalisht me një plumb në gjoks nga shoku i tij. Vetëm pak orë pas ngjarjes së rëndë autori 28 vjeçar u vetëdorëzua në polici.
Në gjendje të rënduar psikologjike dhe mes lotësh ai i tha hetuesve se nuk e dinte që arma kishte fishekë.
Dëshmia e Marius Demës: “Kishim disa orë që qëndronim në lokal me miqtë e mi. Po luanim një moment me pistoletë. Nuk e dija që arma kishte plumb brenda. Më vjen shumë keq për shokun që vrava se sa për burgun që do bëj”.
Pas kësaj dëshmie, policia e çoi Demën në vendngjarje. Ai krijoi edhe një herë dinamikën e vrasjes. Ndërsa pas kërkimeve policia gjeti armën e cila ishte fshehur mes barishteve. Në polici u vetëdorëzuan edhe 5 personat e tjerë që ndodheshim në tavolinën me viktimën dhe autorin. Frenkli Myftari, Erlind Peka, Bralid Aga, Blerim Hoti dhe Xhuljano Koçi akuzohen për moskallëzim të krimit apo veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Nga pamjet e kamerave të sigurisë, Frenkli Myftari shfaqet duke larguar me dorë nga tavolina gëzhojën e qitur nga arma. ABC mëson se në sajë të dëshmisë që kanë dhënë të rinjtë, dëshmitari okularë Marius Dema ka tentuar të kryejë vetëvrasje, por pistoletën ia kishte hequr nga duart Xhuljano Koçi. Ky i fundit fshehu më pas armën e krimit. Ende është e paqartë për policisë se kujt i përkiste pistoleta. Ndërsa Blerim Hoti një nga gjashtë personat e arrestuar është i dashuri i reperes nga Kosova Baby G.
Të rinjtë cilësoheshin si grupi i lagjes “5 Maji”. Ata ishin miq me disa nga reperat më të njohur si Stresi, Majk, Mozzik, Gettinjo dhe Meriton Mjekiqi.
Ndërkohë në janar të këtij viti, Frenkli Myftari, i cili ka shërbyer në ushtrinë greke, publikoi në rrjetet sociale një video ku përshëndette shokët e tij “në lagjen 5 Maji”, një pjesë e tyre dëshmitarë në vrasjen e 27 vjeçarit Qema./abcnews.al