Milani fitoi 0-3 ndaj Juventusit, duke u rikthyer te suksesi në Serie A pas 10 vitesh. Te kuqezinjtë nuk ka kohë për festë, pasi nesër zhvillohet ndeshja e radhës në kampionat. “Djalli” luan sërish në Torino, por kësaj radhe ndaj skuadrës së Mërgim Vojvodës.
Një sfidë që duhet fituar me çdo kusht për të realizuar objektivin Champions League. Trajneri i Milanit, Stefano Pioli ndalet te gjendja e ekipit, situata e Zlatan Ibrahimovic dhe dueli ndaj Torinos. “Fituam ndaj një kundërshtari historik dhe shumë të fortë.
Milani ka hasur gjithmonë vështirësi me Juventusin. Është normale të jemi të kënaqur, pasi triumfe të tilla na shtojnë besimin te vetja. Ama, dua të përsëris që nuk kemi siguruar asgjë, mund të festojmë vetëm kur të jemi kthyer zyrtarisht në Champions.
Duhet të jemi më të fortë në aspektin mental, t’i kalojmë vështirësitë siç bëmë me Juventusin. Më pëlqeu mënyra si i sulmuam hapësirat në sfidën e fundit. Pres që Milani të jetë një skuadër e pjekur, që bën zgjedhjet e duhura në momentin e duhur.
Ekuilibri është një nga pikat tona më të forta. Ndeshja ndaj Torinos është shumë e rëndësishme, por jemi të përqendruar dhe duam të mbledhim sa më shumë pikë deri në fund. Ibra? Nuk është i gatshëm për nesër dhe për takimin e së dielës.
Donnarumma? Gigio është profesionist, e shoh shumë të përqendruar te tre ndeshjet e mbetura të kampionatit. Nuk do flasë askush për të ardhmen deri më 24 maj”, deklaron trajneri i Milanit, i cili e mbyll me një koment rreth zërave që e lidhin me shkarkimin nga stoli kuqezi.
“Nuk i kam dëgjuar zërat e shkarkimit, në Milanello është gjithçka pozitive. Unë jam një tip pozitiv, tentoj çdo ditë të përmirësohem dhe të rritem. Kam një pasion që nuk më lejon të kthej kokën mbrapa. Ndihem akoma i ri në shpirt“, përfundoi Pioli. /abcnews.al