Nga topi që i dha vëllai, te nata pa gjumë dhe Zidane: Hair Zeqiri “Në kohën e ABC-së”

schedule20:00 - 10 Maj, 2021

schedule 20:00 - 10 Maj, 2021

Nga Vladimir Prenga

Tekniku, kështu i thoshin dhe i pëlqente të vallëzonte në fushë. Lojtarë të tillë, të gjatë dhe teknikë, nuk gjen shumë ditët e sotme. Hair Zeqiri është një nga produktet e shkollës vlonjate të futbollit, një fantazist që e mbylli karrierën për shkak të një dëmtimi. E quan modeste, por në Vlorë dhe më pas te Kukësi e kanë duartrokitur për asistent, golat dhe lëvizjet e tij teknike.

“Isha gjithmonë, që fëmijë, lojtar i lirë në fushë dhe qëllimi ishte të shënoja sa më shumë gola”, rrëfen Zeqiri në rubrikën “Në Kohën e ABC-së”. Ish-mesfushori, vijon të flasë: “Nuk kam pasur një nofkë, por më thërrisnin ‘Tekniku’. Nëse flasim për idhuj në kuptimin e mirë të fjalës, ka qene Zidane”. Kush e ka parë në fushë Zeqirin me gjasa edhe e ka vënë re një lloj ngjashmërie në mënyrën e lojës.

Por si nisi gjithçka për Hairin? “Kujtimin e parë në futboll e kam moshën pesë vjeçare. Luanim në rrugicat e lagjes me bashkëmoshatarë , jo larg shtëpisë. Nuk e di përse, por ndryshe nga çdo lojë tjetër e brezit tonë, goditja e topit duke vrapuar me tërhiqte pa masë”, tregon Zeqiri, i cili nuk ndalet me kaq.

 

Zeqiri, kunder Tiranes

 

“Një tjetër arsye përse pëlqeja të luaja me top ishte vëllai im i madh. Mblidhte të gjithë shokët e tij së bashku dhe luanin ndeshje te fusha e shkollës, afër lagjes tonë. Unë nuk i ndahesha në asnjë moment dhe pikërisht topin e parë të vërtetë e kam nga vëllai im.

Nuk mund ta përshkruaj gëzimin e një fëmije gjashte vjeç që mendonte vetëm të gjuante topin e ri sa andej-këndej”, shprehet 32-vjeçari, i cili veshi për herë të parë një fanellë të Milanit. “Ka qenë tepër vonë kur ma dhuruan fanellën e parë. Isha 12 vjeç dhe mora një fanellë të Shevchenkos. Sapo kishte kaluar te Milani dhe ma solli një i afërm që jetonte në Itali. U gëzova jashtëzakonisht shumë”, shton Zeqiri.

Gradualisht ndjenjat për futbollin rriteshin dhe Hairi rreth vitit 1997 mendoi të hidhte një hap tjetër dhe të stërvitej me bashkëmoshatarët. Sigurisht nuk i harron trajnerët e tij. “Isha nëntë vjeç kur nisa të stërvitesha për herë të parë. Sapo kishte ardhur vera. Shkolla “Rilindja” afër lagjes organizonte një kurs edukativ sportiv jashtëshkollor, me në krye Profesor Mexhit Haxhiu.

 

Gjithsesi fillimi im i vërtetë ka qenë me Profesor Fatmir Gjebrean, në vjeshtën e atij viti, ku me plot gojën mund të them që ka qenë trajneri, mësuesi, babai im i parë i futbollit dhe jo vetëm”, deklaron me nostalgji ish-mesfushori, i cili kur pyetet se cili ka qenë trajneri që ka pasur ndikimin më të madh tek ai, nuk dëshiron të përmendë emra të përveçëm.

“Kam pasur fatin të punoj me mësues të përkryer të futbollit, të cilët kanë ndikuar në formimin tim. Secili ka qenë i rëndësishëm për kohën e tij dhe nuk dua të ndaj askënd. Gjithmonë jam falënderues ndaj tyre”, vijon rrëfimin e tij Hair Zeqiri, sipas të cilit të gjithë trajnerët e tij i bashkonte shprehja “Talenti nuk mjafton për t’u bërë futbollist”.

Më pas për Zeqirin erdhi edhe koha e ndeshjeve dhe udhëtimet ishin të pashmangshme, goxha emocionuese. “Qëndrova zgjuar gati gjithë natën nga emocioni që ditën tjetër do luanim ndeshjen e parë jashtë qytetit. Isha dhjetë vjeç dhe luanim në Fier. Ishte gjithashtu udhëtimi im i parë jashtë qytetit. Janë kujtime me të vërtetë të bukura”.

 

Kudo, në çdo brez, ka fëmijë që kanë të dhëna të mira dhe të gjithë mendojnë se do të bëhen futbollistë. Zeqiri flet edhe për ata: “Mund të jenë disa që mund të ecnin shumë, por mbaj mend Ermal Pekmezin dhe Bejko Salën”. Po ata që spikasnin, kush ishin? Zeqiri flet për emra që kanë bërë karrierë dhe një pjesë luajnë ende.

“Orgest Serjani ishte lojtar inteligjent, me të dhëna teknike dhe gjuajtës shumë i mirë i portës. Po ashtu Arbër Dhrami, një lojtar i shpejtë, i fortë, i cili spikaste për forcën e gjuajtjeve të tij. Pasandaj janë Franc Veliu, Moçka, por nuk po flasim për lojtarë që kanë një karrierë të admirueshme sportive”.

Sigurisht ndonjëri edhe i nxirrte probleme Zeqirit, ose më saktë i kishte rivalë. “Mund të them se emrat që përmenda më lart janë edhe lojtarët me të cilët kam pasur rivalitet në fushë te moshat, përpara se të ishim shokë skuadre. Gjithashtu me Franc Veliun kam një histori rivaliteti mes shkollave, kurse me Moçkën historia e ndeshjeve mes lagjeve përkon me periudhën tonë të rivalitetit”.

 

Zeqiri, në stërvitje te Flamurtari

 

Zeqiri veçon edhe një moment nga ndeshjet me moshat: “Luanim në Kemishtaj, Lushnje. Isha 11 vjeç atëherë. Realizova i dy gola, që bënin të mundur kthimin e rezultatit në favorin tonë. Të gjithë në fushë  vrapuan te goli i fitores dhe u hodhën mbi mua. Te moshat kisha një emocion vërtetë të pastër, që nuk mund të ma hiqte asnjë, pavarësisht se çfarë mund të thoshte apo vepronte”.

Hairi nuk ka qenë djali i rrengjeve, ndaj edhe nuk ka ndonjë “hile” që ua ka bërë shokëve. Kurse për ngjarjet e çuditshme që ndodhnin te moshat, ai veçon diçka: “Nuk e di nëse mund t’i quaj të çuditshme, por mbaj mend shumë ndeshje me U-19 kur sa fillonin ndeshjet lojtarët kundërshtarë më afroheshin duke më thënë ‘sot nuk do kesh shans të prekesh top me këmbë’”.

Nëse vëllai e kishte marrë i pari për dore dhe i kishte dhuruar topin e parë, një tjetër familjar që ishte mbështetja e tij më e madhe. “Njeriu që jetonte me ecurinë time si futbollist ka qenë im atë”, tregon Zeqiri, i cili njërën prej ëndrrave të tij e ka plotësuar, madje edhe ka fituar trofe duke luajtur me fanellën e Flamurtarit.

 

Hair Zeqiri, ne duel me Paulin Dhembin

 

“Sigurisht që kam pasur ëndrrat, ato janë pjesa më e rëndësishme e vetërealizimit të çdo njeriu, qoftë edhe sikur të mbeten veç ëndrra. Ato luajnë një rol psikologjik emocional të jashtëzakonshëm. Kur mblidhja topat pas portës, në stërvitjet e Flamurtarit, ëndërroja që të vishja fanellën kuqezi kur të rritesha”, shton ish-fantazisti.

Zeqiri, i cili ka luajtur edhe kombëtaren e Shqipërisë, spikati me Flamurtarin, provoi një eksperiencë në Turqi me Rizespor, ndërkohë që në Shqipëri u aktivizua edhe me Kukësin, për ta lënë më pas futbollin para tre vitesh, kur pësoi një dëmtim të rëndë kur ishte pjesë e Kamzës.

Gjithmonë Zeqiri kishte menduar se do të bëhej futbollist profesionist, që në fillim. “Nuk dua te tregohem i pamatur, por gjithmonë kam pasur bindjen që do të bëhesha futbollist, edhe kur kam pasur momente vështira. Nuk e di nga buronte kjo siguri por mund të them që ia arrita qëllimit në mënyrë modeste”, përfundon Zeqiri rrëfimin e tij. /abcnews.al