Shkak i aksidentit të rëndë me pasojë vdekjen në aksin Milot-Morinë është bërë një parakalim i gabuar i mjetit tip “Golf 4”. Pikërisht në këtë mjet ishte duke udhëtuar edhe viktima, një 35-vjeçar që nuk mundi t’i mbijetonte përplasjes.
Po ashtu, mësohet se dy automjetet që u përplasën paraditen e së shtunës pranë Urës me Harqe ishin duke ecur me shpejtësi të lartë. Nga pamjet e siguruara nga Abcnews.al, shihet impakti i përplasjes mbi mjetet ka qenë i madh. Mjeti me të cilin udhëtonte viktima është thuajse i shkatërruar plotësisht.
Të lënduar nga ky aksident kanë mbetur drejtuesi i mjetit tjetër dhe pasagjerja që ndodhej në makinën e viktimës. Ata janë nisur drejt spitalit të Traumës për të marrë kujdes të specializuar mjekësor.
Ky aks që ndodhet pranë Urës me Harqe njihet si “zonë e kuqe” nga rastet e shumta të aksidenteve me pasoja të rënda. sb/abcnews.al/