Partia Demokratike do të kërkojë përsëriten e zgjedhjeve parlamentare në 9 qarqe të vendit. Arsyeja është pasi nga selia blu pretendojnë se rezultati i zgjedhjeve është manipuluar.
Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike në qarkun Korçë, Ervin Salianji, i ftuar në emisionin Zonë e Lirë në Tv Klan, ka thënë se PD është duke përgatitur një dosje përmes së cilës do të kërkojë përsëritje të zgjedhjeve.
Arian Çani: A është e vërtetë që PD është duke mbyllur një dosje me anë të së cilës do të kërkojë ripërsëritjen e zgjedhjeve në 9 qarqe?
Ervin Salianji: Po!
Arian Çani: A është e mundur kjo gjë?
Ervin Salianji: Po pa diskutim që është e mundur përderisa ka fakte, ka prova.
Arian Çani: Kush e vendos këtë?
Ervin Salianji: E vendos një institucion që quhet KAS. E kanë ata në dorë dhe pastaj Kolegji Zgjedhor.
Arian Çani: Ti i di kush janë këto 9 qarqe që pretendoni të ripërsërisni zgjedhjet?
Ervin Salianji: Korça, Durrësi, Gjirokastra, Berati disa zona që kërkojnë të ripërsëritne për një sërë shkeljesh të cilat janë evidentuar gjatë ditës së zgjedhjeve dhe gjatë numërimit. Rezultati është shumë i ngushtë, Berati lëviz me 39 vota mandati mes opozitës dhe qeverisë.
Ndërsa analisti Arjan Curi thotë se nuk mendon që kërkesa e Partisë Demokratike të miratohet nga organet zgjedhore.
Arjan Curi: Jo s’ka asnjë shans. Nuk ka shans të kthehet, kot që i mbajnë njerëzit me shpresa, i lodhin. Më mirë fatalist dhe realist. /tvklan.al