Jose Mourinho do të jetë trajneri i Romës sezonin e ardhshëm. Klubi italian ka zyrtarizuar gjithçka dhe së fundmi në vendin fqinj është bërë publik një mesazh zanor i Paolo Di Canio, ish-sulmuesit të Lazio që tregohet i ashpër me “Special One”.
Italiani, tani opinionit në Sky Sport, mendon se Roma ka marrë një trajner që nuk di të rindërtojë ekip. Mes të tjerash në bisedën me mikun e tij tifoz të Romës, Di Canio dëgjohet të thotë: “Keni marrë më të keqin e të këqijve. E kuptoj që ju duhet një emër i madh në këtë moment, por është sikur të nënshkruani me një lojtar që ka mbaruar.
Mourinho thjesht donte një punë me para, ai kishte marrë shkarkimin e tretë në katër vite, i dëbuar nga çdo klub për shkak të karakterit të tij dhe para kësaj gjithçka e mirë ishte se ai kishte karakter. Tottenham i dha mundësinë për ta çuar ekipin në një tjetër nivel, më gjithë paratë që shpenzuan.
Duke parë ambientin e Romës, ai është OK, ju ndoshta prisni kushedi se çfarë, por unë ju them se ai është më i keqi i të këqijve. Ai ka mbaruar në çdo mënyrë të mundshme. Ai nuk luan as futboll, ai luan anti-futboll.
Ju mund të kënaqeni në disa konferenca shtypi, sepse polemikat krijojnë teatër të mirë, por më lejoni t’ju them se për të rindërtuar një ekip ai është më i keqi që mund të merrni. Dhe mund të them edhe këtë, që ishte i preferuari im deri shtatë vite më parë, madje e preferoja edhe më shumë se Pep Guardiola”. /abcnews.al