Sot janë bërë 22 vjet nga vrasja e nënkryetarit të LDK-së dhe deputetit të Kuvendit të Kosovës, Fehmi Aganit. Agani u vra më 6 maja të vitit 1999 nga forcat pushtuese serbe.
Këtë të enjte kryeministri i Kosovës Albin Kurti shoqëruar nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani si edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca kanë zhvilluar homazhe të varri i heroit të Kosovës, Fehmi Agani.
Ndërsa foli për mediat, Kurti vlerësoi figurën e Fehmi Aganit, duke u shprehur se tashmë ka ardhur koha që të bëhet drejtësi për vrasjet e kryera nga regjimi i Millosheviç.
“Profesor Agani theksonte rëndësinë e mendimit në politikë. Besoj që është koha e fundit që sistemi ynë i drejtësisë të veprojë për vrasjet e shumta të veprimtarisë kriminale të Millosheviç, në mënyrë që të sjellin procese të drejta gjyqësore. Kontributi dhe puna e profesor Aganit do të jehojë edhe në të ardhmen”, tha Kurti.
Nga ana tjetër, presidentja Vjosa Osmani u shpreh se Agani ishte krahu i djathtë i Ibrahim Rugovës, ndërsa e vlerësoi të si një figurë të lartë.
Figura e Aganit la gjurmë të pashlyeshme në historinë e pavarësisë së Kosovës, fushën e arsimit dhe mendimit shkencor.
Akademik Fehmi Agani, ishte studiues i shquar i fushës së sociologjisë, njëkohësisht një veprimtar i shquar politik i çështjes kombëtare shqiptare.
Lindi në Gjakovë dhe u diplomua për filozofi në Universitetin e Beogradit.
Në vitin 1965 kreu studimet pasuniversitare për shkenca politike në po këtë universitet. Agani ka qenë lektor dhe dekan i Fakultetit Filozofik në Universitetin e Prishtinës, redaktor i politikës së jashtme në gazetën “Rilindja” dhe drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës.
Nga viti 1968 ishte një nga ideatorët e projektit për pavarësinë e Kosovës, për të cilin punoi deri në fund të jetës së tij. Pas demonstratave studentore të vitit 1981, F. Agani u largua nga autoritetet serbe nga mësimdhënia në universitet.
Ai u zgjodh nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ishte një nga negociatorët kryesorë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet partive politike të Kosovës për forcimin e qëndresës kombëtare të shqiptarëve të Kosovës.
Në Konferencën e mbajtur në Rambuje për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, ai nxiti frymën e konsensusit ndërmjet përfaqësuesve shqiptarë. Pas fillimit të fushatës së bombardimit të NATO-s kundër Serbisë, më 6 maj 1999, akademik Fehmi Agani u vra nga forcat serbe gjatë një përpjekje për të kaluar në Maqedoni.
/abcnews.al/