“Ballkan” përtej politikës: Rock-u rebel i Kosovës, këngë mllefi

schedule20:55 - 5 Maj, 2021

schedule 20:55 - 5 Maj, 2021

Nga Linda Karadaku

Muzika shqiptare në Kosovë, në kohën e ish-Jugosllavisë lulëzoi dhe pati kulmet e saj, pavarësisht nga shtypja politike që vinte drejtpërdrejt nga Beogradi, dhe pavarësisht se arti dhe kultura në Kosovë varej nga liritë dhe të drejtat për shqiptarët që lejoheshin ose jo nga ish Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë. Deri në vitin 1966, kur mbahet Plenumi I IV i Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, i njohur si Plenumi i Brioneve, politika jugosllave kundër shqiptarëve bëhet gjithnjë e më e egër, nën ideimin dhe zbatimin e famëkeqit Aleksandër Rankoviç.

Shkarkimi i Rankoviçit dhe një numri bashkëpunëtorësh të tij nga pozicionet politike dhe shtetërore, bën që edhe Kosova të marrë pak frymë. Që nga vitet 1960, muzika e lehtë dhe rock bëhet gjithnjë e më e pranishme në skenat e Kosovës. Në ato vite formohen rock-grupet ‘Fan’ në Mitrovicë, ‘Blue Stars’ në Prishtinë, ‘The Lord’ në Ferizaj, ‘Farazimus’ në Gjakovë, ‘Marimanga’ në Prizren.

Muzika rok në Kosovë simbolizon frymëmarrje dhe vitalitet në një shoqëri që kishte nevojë për të. Roku në Kosovë përfaqësonte frymën e rebelimit ndaj shtypjes dhe mohimit të të drejtave njerëzore dhe kombëtare. Megjithatë, kishte një rregull, shkelja e të cilit kishte pasoja të rënda. Arti nuk duhej të prekte komunizmin vetëqeverisës dhe ideologjinë e vëllazërim-bashkimit që e proklamonte Jugosllavia e Tito-s. Roku Kosovar ishte megjithatë po aq i mirë dhe i barabartë me atë që bënin popujt e tjere në ish-Jugosllavi dhe që frymëzohej nga trendet dhe grupet perëndimore. Punk, New Wave, Cold Wave si zhanre të muzikës rock zënë vend tek shqiptarët. Me New Wave identifikohen ‘Gjurmët’, në fazat e para ndërsa me punk “Citroeni” i grupit Bankrot.

Roku Kosovar si frymë rebelimi arrin kulmin pas demonstratave të shqiptarëve më 1981, kur krijohen shumë grupe, ka shumë ide dhe kreativitet, dhe tekste shumë të bukura. Grupet 403, Gjurmët, Seleksioni 039, Telex, Ilirët, Lindja, Bankrot, Babilon, Fillimi i fundit, shënjojnë  skenën e Kosovës.

Megjithatë, ende përdorej metafora për të kënduar kundër padrejtësive politike. Kjo mund të shihet tek “Mikrofoni” i Gjurmëve, “Zvarraniku” i Lindjes, “Këngë mllefi” e Minatorit etj. Kosova kishte në atë kohë vetëm një studio incizimi në Radio Prishtina. Grupet prisnin për kohën e caktuar për inçizim dhe këngët vetë kalonin disa filtra. Megjithatë muzika e bukur dhe evergreen e asaj kohe, jo vetëm arriti të kalojë filtrat, por i mbijetoi kohës, duke u bërë e përjetshme./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!