43 mijë qytetarë shqiptarë humbën punën nga pandemia

schedule19:10 - 5 Maj, 2021

schedule 19:10 - 5 Maj, 2021

Përgjatë një viti pandemie shkalla e papunësisë në vend ka arritur në 11.8% me 43 mijë vende punë të humbura. Për ta rikthyer në normalitet ekonominë e vendit, guvernatori  i Bankës së Shqipërisë i rekomandon qeverisë forcimin e financave publike, përmirësimin e klimës së biznesit dhe rritjen e konkurrueshmërisë. Megjithatë për Gent Sejkon, parashikohet që sektori i turizmit dhe shifrat në rënie të covid ta çojnë rritjen ekonomike për këtë vit në 5.3%.

Pasojat e pandemisë vijojnë të jenë të dukshme në ekonominë e vendit. Banka e Shqipërisë argumenton se rimëkëmbja ekonomike është e paplotë dhe faktorët që e mbështesin nuk janë ende të konsoliduar. Sipas guvernatorit Gent Sejko, sektori më i prekur, që prej vitit të kaluar, është punësimi, ku vihet re një rritje e papunësisë.

Për rrjedhojë, aktiviteti ekonomik në vend u tkurr me 3.3% gjatë vitit 2020, ekonomia shqiptare humbi rreth 43,000 vende pune, ndërsa shkalla e papunësisë u rrit në 11.8%. Po ashtu, ritmi i rritjes së pagave dhe të kostove të tjera të prodhimit erdhi në ngadalësim. E vetmja mundësi për rikthimin në normalitet të ekonomisë dhe nxitjen drejt rritjes së saj, sipas guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, është përshpejtimi i reformave nga ana e qeverisë.

Këshilli Mbikëqyrës gjen me vend të theksojë se normalizimi gradual i situatës ekonomike dhe forcimi i qëndrueshmërisë së rimëkëmbjes duhet të risjellin në fokus të vendimmarrësve nevojën e përshpejtimit të axhendës së reformave strukturore. Këto reforma duhet të synojnë rritjen e konkurrueshmërisë, përmirësimin e mëtejshëm të klimës së investimeve dhe të biznesit, si dhe forcimin afatgjatë të qëndrueshmërisë së financave publike.

Pritshmëritë e Bankës së Shqipërisë për këtë vit janë për një rritje ekonomike mbi parashikimet prej 5.3%, kjo e mbështetur nga sektori i turizmit dhe ecuria e deritanishme e shifrave të pandemisë.  Për një rimëkëmbje të qëndrueshme Sejko flet edhe për disa faktorë të tjerë.

Zgjerimi i aktivitetit pritet të udhëhiqet nga përshpejtimi i konsumit familjar, i eksportit të mallrave e të shërbimeve, si dhe nga investimet private në rritje. Në përgjigje të tyre, punësimi dhe pagat pritet të vijnë po ashtu në rritje, duke mundësuar kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022.

Pavarësisht kësaj situate, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të lerë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 0.5%./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!