Klima, Rusia dhe Kina tema diskutimi në G-7

schedule18:29 - 5 Maj, 2021

schedule 18:29 - 5 Maj, 2021

Ministrat e Jashtëm të shtatë vendeve më të industrializuara në botë po takohen në Londër këtë javë. Ndryshimi i klimës, Rusia dhe Kina janë mes temave të diskutimit.

Ballë për ballë për herë të parë pas dy vjetësh, ministrat e jashtëm të G-7 respektuan distancimin fizik ndërsa u takuan të martën në Londër.

Samiti dy-ditor ka një plan pune të ngjeshur që përfshin marrëdhëniet e G-7ës me Rusinë, e cila u dëbua nga grupi pas aneksimit me forcë të Krimesë në vitin 2014. Ministrat e G-7 dënuan dislokimin e fundit të trupave ruse përgjatë kufirit me Ukrainën.

“Nëse Rusia zgjedh të veprojë në mënyrë të rrezikshme, apo agresive ne do të përgjigjemi. Por ne nuk po kërkojmë të përshkallëzojmë situatën. Ne do të preferonim të kishim një marrëdhënie më të qëndrueshme dhe më të parashikueshme”, tha sekretari i Shtetit Antony Blinken.

Kina është gjithashtu një temë e rëndësishme.

“Nuk është qëllimi ynë të përpiqemi ta kemi Kinën në kontroll, apo ta mbajmë Kinën poshtë. Ajo që po përpiqemi të bëjmë është të mbështesim rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, tha sekretari Blinken.

Media shtetërore kineze akuzoi Shtetet e Bashkuara të martën për atë që e cilësoi si – “përdorim të qëllimishëm të nocionit ‘kërcënimi kinez’. G-7 po mbështet parimet bazë mbi të cilat u themelua në vitin 1975, thotë analisti John Kirton.

“Të mbrojë vendet anëtare dhe të promovojë vlerat e demokracisë së hapur dhe lirisë së njeriut në mbarë botën. Këto parime u kërcënuan shumë nga një ekspansion i Rusisë në vitin 1975. Dhe kërcënohen ende sot nga Rusia, por edhe Kina dhe regjimet e tjera autoritare”, thotë për Zërin e Amerikës analisti John Kirton.

Britania ftoi gjithashtu ministrat e jashtëm nga Australia, India, Afrika e Jugut dhe Koreja e Jugut në bisedime – një demonstrim i përqendrimit të Londrës në rajonin e Indo-Paqësorit.

“Pra, ajo që po shohim është krijimi i një familjeje më të gjerë demokratike. Dhe nëse ata janë të gatshëm të vendosin emrat e vendeve të tyre në letër krahas shtatëshes, ky do të jetë një sinjal edhe më i fuqishëm “, thotë analisti Kirton.

Ministrat e jashtëm të G-7 diskutuan gjithashtu për një përgjigje të koordinuar ndaj puçit ushtarak në Mianmar dhe goditjes së dhunshme të protestave pro-demokracisë, si dhe tërheqjen e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s nga Afganistani, e cila filloi këtë muaj.

“Të sigurojmë që të ruajmë aftësinë për t’u përballur me terrorizmin, që përparimi i arritur në Afganistan nuk do të shuhet dhe gjithashtu të shtyjmë përpara dialogun dhe një proces paqësor nga i cili përfitojnë të gjithë afganët”, tha sekretari i jashtëm britanik Dominic Raab.

Ndërkohë, aktivistët po i bëjnë thirrje G-7 për të siguruar që vendet e varfëra të kenë qasje tek vaksinat e koronavirusit. Kombet e Bashkuara thonë se gati 90% e të gjitha vaksinave të administruara në të gjithë botën kanë shkuar në vende më të pasura.

Përgjigja ndaj pandemisë do të jetë në fokus kur Britania të organizojë takimin e udhëheqësve të G-7 në qershor, çka do të shënojë vizitën e parë të Presidentit Joe Biden jashtë shtetit si president i SHBA./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!