Jose Mourinho rikthehet pas 11 vitesh në Serie A, aty ku kaloi dy nga vitet më të bukura të karrierës si trajner. Pesë trofe me zikaltrit gjatë viteve 2008-2010, teksa mbetet e paharrueshme Tripleta e fituar në sezonin e fundit.
“Special One” do të drejtojë Romën, detyrë që e merr në muajin korrik. Ish-presidenti legjendar i Interit, Massimo Moratti flet rreth kësaj lëvizje për Corriere della Sera. Me trajnerin portugez ka një lidhje të veçantë, teksa tifozët i qetëson me një krahasim interesant.
“Mourinhon e njoh në perfeksion, ndërsa Conten jo. Uroj që Interi të vazhdojë përpara me Conten në pankinë. Nuk ka asnjë sens të ndjejmë xhelozi për kalimin e Mourinhos te Roma. E njëjta gjë ndodhi edhe me Helenio Herreran.
Pas sukseseve që arriti me Interin (i dhuroi dy Liga Kampionësh zikaltërve), ai u transferua te Roma. Nuk më rezulton që vendimi i tij në atë kohë të ketë shqetësuar zemrat e tifozëve të Interit“, theksoi Massimo Moratti. /abcnews.al