Në përpjekje për të sfiduar dominimin amerikano-kinez, Emanuel Makron ka deklaruar se do të lobojë për ligje më të forta kundër monopoleve. Duke shpallur prioritetet e fushatës për zgjedhjet euro-parlamentare, presidenti francez ka nënvizuar se Europa nuk duhet të mbetet skllave e gjigantëve të teknologjisë.
Teksa zgjedhjet për Parlamentin Europian po afrojnë, presidenti francez Emanuel Macron ka deklaruar se do të lobojë për përforcimin e ligjeve të konkurrencës. Duke folur në një takim me përfaqësues të bizneseve që ofrojnë shërbime teknologjike, Macron ka nënvizuar se Europa duhet të marrë masa për t’u mbrojtur nga dominimi i gjigantëve. “Na duhet një arsenal ligjesh më i fortë dhe puna për këtë ka nisur. Duhet ta vazhdojmë, ndaj gjatë fushatës do të bëj propozime shumë të forta”, ka deklaruar Macron.
Ai ka nënvizuar se avancimi në këtë fushë është e vetmja rrugë që Europa të ecë me këmbët e saj në të ardhmen. “Në të kundërt, e vetmja zgjidhje që do të na mbetet do të jetë të zgjedhim mes amerikanëve dhe kinezëve”, ka thënë Macron. Në këtë aspekt, shefi i pallatit Elize ka vlerësuar punën e bërë nga komisionerja e BE për konkurrencën, Margreth Feshtager, e cila ka gjobitur kompanitë më prestigjoze amerikane si Google. “Ajo është një grua shumë e guximshme dhe ka menaxhuar çështje të profilit të lartë për të luftuar abuzimet”, ka thënë Macron. Muaj më parë, Feshtager irritoi presidentin amerikan Donald Trump për qasjen e saj ndaj kompanive ikonë të Shteteve të Bashkuara, si Apple. Në samitin e vendeve të G7-s, Trump e akuzoi zyrtaren europiane se urren Amerikën./abcnews.al