Kastrioti luan nesër një ndeshje me Skënderbeun shumë të rëndësishme për fundin e renditjes, teksa gara është për vendin e shtatë, që të shmang ndeshjen e Play Out.
Para kësaj sfide në konferencë për shtyp foli trajneri i krutanëve, Ramadan Ndreu, të cilit ende nuk i ka dalë “helmi” i gjykimit të ndeshjes së shkuar ndaj Apolonisë.
“Në fazën e tretë dhe të katërt pikët merren vetëm me skuadra rivale. Skuadrat e kreut janë skuadra të mira, janë skuadra që kanë investuar shumë dhe kanë marrë atë marshin për të mos mbetur jashtë Europës. Ndaj tyre është shumë e vështirë.
Skënderbeu? Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme, është jetike. Edhe me Apoloninë ishte e tillë. E kam parë dhe riparë disa herë rastin dhe jam shumë i zhgënjyer se si ka mundësi të na masakrojnë në këtë mënyrë.
Nuk ka penallti për ne, ajo punë ka marrë fund. Edhe lojtarëve u kam thënë që mos e mbani mendjen te penalltia. Vetëm po na shtinë në pushkë mund të marrim penallti, ndryshe nuk ndodh.
Po i referohem ndeshjes së fundit me Apoloninë. Ne kemi eksperiencë në këtë fushë dhe e dimë kur jepet e kur nuk mund të jepet. Duke parë ndeshjen, kam fiksuar jo më pak, por 10 gabime në vendosje të anësorit.
Si mundet që një anësor, kur aksioni është në fundore, ai të rrijë në mesfushë? Këto janë nga ato raste, që kur duan të gabojnë, rrinë aty. Sot ka arbitra shumë të mirë dhe unë jam i bindur 1000% se nëse gabojnë, e bëjnë me dashje. Nuk mund të ndodhë ndryshe.
Pa diskutim që janë të qëllimshme, nuk më hiqet nga mendja. Në çdo media është folur që janë raste të pastra, raste të dyshimta e me radhë. Gabon një herë, dy, por jo shumicën e ndeshjeve, ku në 30 javë na është dhënë vetëm një penallti.
Frikë nga gjykimi me Skënderbeun? Është fundi i kampionatit dhe në këto ndeshje të mbetura do ishte mirë që dhe arbitrat të mbanin drejtësi. Shpresoj që në këtë ndeshje të mos na hahet haku. Kemi punuar shumë këto ditë që kishim në dispozicion.
Skënderbeu është një skuadër që ka bërë mirë në ndeshjet e fundit. Është një kundërshtar i vështirë, por kam shumë besim te skuadra që do ia dalim këtë radhë. Nëse futbollistët e vlerësojnë siç duhet dhe janë shumë të thjeshtë, jam i bindur që do t’i marrim tri pikët, që i kemi të domosdoshme. Tani nuk lejohen më gabimet”, u shpreh Ndreu. /abcnews.al