Sa herë që merkatoja e verës afron, emri i Paul Pogba është ndër më të lakuarit. Edhe këtë vit flitet se ai do të largohet nga “Old Trafford” dhe këtë lajm nuk e ka mohuar as agjenti i francezit Mino Raiola. Ky i fundit në një intervistë për “Diario AS”, propozon një shkëmbim të bujshëm të tij me Eden Hazard.
“Kur një lojtar ju pyet se çfarë do të bëjmë është një përgjegjësi e madhe. Qëndroj gjithë natën zgjuar duke menduar se çfarë është më e mira për të. Me Pogba ajo që është me të vërtetë e rëndësishme ësthë ajo që Manchester United dëshiron, çfarë projekti po propozojnë për të.
Paul gjithmonë ka dëshiruar të fitojë Championsin dhe do ta shikojmë nëse është e mundur ta fitojë tek United apo në klube të tjera europiane. Kalimi te Reali? Nuk është e lehtë sepse klubet e mëdha nuk dëshirojnë t’ua shesin lojtarët e tyre kryesorë rivalëve direkt.
Madridi ka qenë një tundim për Pogba, edhe për shkakun e Zidane, i cili është idhulli i tij. Mendoj se asgjë nuk është e pamundur, por nëse Reali dëshiron një shkëmbim, atëherë Hazard për Pogba. Nëse të gjitha palët do të jenë të kënaqura, përse të mos ndodhë”, përfundon Raiola. /abcnews.al