Raporti i KE: Serbia, vendi që kaloi më lehtë krizën pandemike në rajon, ku renditet Shqipëria

schedule07:51 - 1 Maj, 2021

schedule 07:51 - 1 Maj, 2021

Kriza e COVID-19 shkaktoi një dëm të rëndë për të gjitha ekonomitë e Ballkanit Perëndimor në vitin 2020.

Aktiviteti ekonomik u ndërpre rëndë nga masat e bllokimit që patën ndikimin më të fortë në tremujorin e dytë, ndërsa ekonomitë treguan shenja të rimëkëmbjes në gjysmën e dytë të vitit, kur kufizimet u lehtësuan dhe aktiviteti ekonomik, veçanërisht në sektorin e prodhimit të orientuar drejt eksportit, u rrit, vlerëson Komisioni Europian në raportin e fundit tremujor për vendet kandidate dhe ato potenciale kandidate.

Sipas raportit, Serbia është vendi që e ka kaluar më lehtë krizën, me një rënie prej vetëm 1%, si rrjedhojë e strukturës ekonomike të qëndrueshme dhe stimulit të konsiderueshëm fiskal. Më pas është Shqipëria, me një tkurrje prej 3.3%, e ndihmuar nga përmirësimi i ekonomisë në tremujorin e fundit të vitit.

Sipas raportit, në shumicën e vendeve, rënia në vitin 2020 u nxit nga një tkurrje e madhe e konsumit privat dhe investimeve, ndërsa eksportet neto kishin një efekt të ndryshëm në rritje. Mali i Zi ka regjistruar tkurrjen më të fortë ekonomike; PBB reale ra me 15.2%, në kontrast me një zgjerim prej 4.1% një vit më parë, kryesisht për shkak të kolapsit të eksporteve të shërbimeve (përkatësisht turizmit).

Në Shqipëri, pas katër tremujorëve rresht të rënies, rritja ekonomike nga viti në vit u kthye pozitive në tremujorin e katërt të vitit 2020, mbështetur nga efektet bazë, rimëkëmbja e konsumit privat, rritja më e fortë e investimeve dhe rritja e konsumit publik. Rënia e eksporteve mbeti e theksuar kryesisht për shkak të kufizimeve të vazhdueshme të udhëtimit. PBB-ja reale ra me 3.3% në vitin 2020.

Si në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Maqedoninë e Veriut, PBB-ja u tkurr me 4.5% në vitin 2020, kryesisht si rrjedhojë e rënies së ndjeshme të konsumit të familjes dhe investimeve. Në të dy vendet, rritja ekonomike u ndihmua nga një kontribut pozitiv i eksporteve neto në rritje ndërsa në rastin e Maqedonisë së Veriut, gjithashtu, nga konsumi publik.

Në Kosovë, zgjerimi i konsumit qeveritar dhe rënia e importeve të mallrave dhe shërbimeve zbutën rënien e prodhimit vjetor ekonomik në një vlerësuar prej 3.9%.

 

Në Serbi, humbja e prodhimit ishte më e lehtë në vitin 2020 krahasuar me kolegët e saj në rajon. PBB reale ra me 1.0%, nga një rritje prej 4.2% një vit më parë, mbështetur nga vrulli i fortë para krizës, stimuli i

konsiderueshëm fiskal dhe struktura sektoriale e ekonomisë me mbështetje të kufizuar në turizëm. Tkurrja ekonomike nga viti në vit u moderua më tej në tremujorin e katërt të vitit 2020, si rrjedhojë e konsumit të lartë qeveritar dhe rritjes së eksporteve, që kompensuan tkurrjen e konsumit familjar.

Në përgjithësi, PBB-ja e rajonit të Ballkanit Perëndimor u tkurr me 3.3% në vitin 2020, nga një normë mesatare e rritjes prej 3.6% në vitin 2019 (Grafiku 1). Kjo është rënia e parë në prodhimin vjetor të rajonit pas një zgjerimi 10-vjeçar.

 

 

/Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!