Gruevski porosit opozitën: Refuzoni marrëveshjen

schedule12:55 - 7 Tetor, 2018

schedule 12:55 - 7 Tetor, 2018

Ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski i ka bërë thirrje opozitës që të kundërshtojnë marrëveshjen për emrin dhe të mos frikësohen nga një burgosje e mundshme e tij, pasi gjykata e apelit konfirmoi dënimin për shpërdorim fondesh. Ai kërkoi që deputetët të mos bëjnë pazare me lehtësimin e dënimit të tij në këmbim të votës në kuvend.

Ish-kryeministri i Maqedonisë dhe kreu i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, u ka bërë thirrje deputetëve të partisë së tij që të mos “dorëzohen” dhe të mos votojnë Marrëveshjen për emrin me Greqinë. Me anë të një mesazhi në facebook, ai shkruan se askujt të mos i shkojë në mend që të mbështesë me vote ndryshimin e emrit duke shpresuar për një falje që mund t’i bëhej atij nga proceset gjyqësore.

“Edhe pse unë besoj se pa paralajmërimin tim, VMRO-DPMNE nuk do të bëjë të kundërtën, megjithatë, unë dua të dërgoj një porosi për partinë time dhe rreth persekutimit politik kundër meje të motivuar politikisht dhe gjykimin kundër meje. Në qoftë se ju kërkohet për të bërë koncesion të vogël që do të jetë i dëmshëm  për interesat kombëtare, duke e vendosur atë në lidhje me ndalimin ose zbutjen e persekutimit politik kundër meje, si një udhëheqës i vjetër, refuzoni një propozim të tillë të pandershëm”, ka shkruar Gruevski.

Ndërkohë, ditë më parë Gjykata e Apelit në Shkup konfirmoi dënimin e shkallës së parë me 2 vite e gjysëm burg për ish kryeministrin. Ai u shpall fajtor për korrupsion dhe shpërdorim fondesh të buxhetit shtetëror. Më konkretisht, Gruevski akuzohet se ka ndikuar në blerjen e një automjeti luksoz “Mercedez” për 600 mijë euro. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!