Në këtë sezon në Parkun e madh të Divjakës kanë mbërritur mijëra zogj shtegtarë. Studiuesit kanë nisur numërimin për të patur një hartë të saktë të shtrirjes së tyre.
Mijëra zogj shtegtarë kanë ardhur në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta. Është rikthyer këtu, edhe shqiponja e kënetës, një shpend grabitqar që rrallë është ndeshur më parë.
Disa lloje të tjera, si Shqipja peshk ngrënëse, shqiponja e madhe e rosave, huta, lejleku etj. janë sot në habitatin e tyre. Studiuesit kanë nisur numërimin, për të pasur një hartë të saktë të shtrirjes së tyre në të gjithë vendin.
Parku Divjakë-Karavasta ka tërhequr numrin më të madh shpendëve për faktin se ende është një zonë e padëmtuar nga ndërtimet.
“Ato i përdorin lagunat ose pyjet ose kallamishtet, habitate të caktuara, si pika ndalesash për t’u rifurnizuar për udhëtim dhe nëse këto pika janë të cënueshme, mungojnë, është problem kritik për to”.
Grupe të veçanta turistësh janë të interesuar për të ndjekur shpendët shtegtarë në të gjithë Europën. Ndaj vendi ynë ekspozohet me shumëllojshmërinë e tyre.
“Ka turizëm që bëhet posaçërisht për vijnë grupe turistësh për të parë shpendët tregtarë”.
“Është pasuri e mrekullueshme që duhen ruajtur mund të jenë pika që mund të thithin më shumë turistë sesa qytet me ndërtime”.
Pas udhëtimeve shumë të gjata, disa nga shpendët përballen edhe me rrezikun e vrasjes nga gjuetarët. Ndonëse moratoriumi në vendin tonë ka minimizuar këtë gjueti, rastet nuk mungojnë. Megjithatë, shumica e zogjve migratorë kanë gjetur habitatet e tyre të padëmtuara .
“Megjithëse është bërë ndalimi i gjuetisë kohët e fundit ka rënë në qetësi laguna, por gjuetia është prapë aty”.
“Po shikoja çafkat, po numëroja tre llojet e çafkave që gjenden në Shqipëri, çafka e madhe, çafka e vogël e bardhë dhe çafka e përhime”.
Zogjtë që kanë emigruar në lagunën Divjakë-Karavasta janë pjesë e rrugës nga Europa në Afrikë. Shumë specie kthehen në të njëjtat vende, duke përfituar ushqimin, strehimin dhe ujin.
Kjo është zona më e rëndësishme për shpendët në Shqipëri , pasi janë të shpërndarë në një mozaik habitatesh ku përfshihen ligatinat, ujërat bregdetare, pylli me pisha dhe lumenjtë. /abcnews.al