Kryeministri i Kosovës Albin Kurti para eurodeputetëve në Parlamentin Evropian foli ndër të tjera edhe për Marrëveshjen e Uashingtonit. Sipas tij, marrëveshja nuk është bërë për t’u implementuar pasi nuk ka parë ndonjëherë marrëveshje mbi një faqe ku futet gjithçka në të.
“Marrëveshjet e 4 shtatorit janë zotime të dyfishta unilaterale me një listë zotimesh. Nuk kam parë asnjëherë në jetën time një faqe e gjysmë zotime. Sikur të ndodhte që gjatë shkrimit të tyre dikush të thotë mos keni harruar edhe atë ose atë tjetrën. Nuk besoj që është menduar të implementohet, duhet ta shohim sidoqoftë si diçka pozitive”, tha Kurti.
Por, kryeministri kosovar shtoi se ka edhe elemente pozitive në atë marrëveshje.
Kurse, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, u shpreh para Parlamentit Evropian se Kosova do të ketë mbështetjen e plotë dhe se janë të gatshëm të ndihmojnë në çdo aspekt, përfshirë edhe ruajtjen e shtetësisë së Kosovës.
Për “non-papers” ajo tha se s’duhet kushtuar vëmendje meqë, sipas saj, janë për të përhapur frikë te qytetarët e Kosovës.
“Është mirë që jeni mirëpritur nga të gjitha institucionet e BE-së. Sigurisht që ka pritje të mëdha nga kryeministri i Kosovës që do ta mbështesni aktivisht dialogun që do lehtësohet nga Miroslav Lajçak. E di që ka një lloj ngurrimi apo rezervimi nga ana juaj dhe kjo mund të jetë e kuptueshme, por duam t’iu ofrojmë mbështetje në pjesëmarrje në këtë dialog politik për aq sa mundemi”.
Në tej ajo theksoi edhe se BE e mbështet Kosovën dhe i qëndron në krah për garantimin e shtetësisë së saj.
“Jemi të gatshëm t’iu mbështesim në çdo gjë që iu duhet dhe qëndrojmë në krahun e Kosovës për garantimin e shtetësisë së saj. Nuk iu kushtojmë aq shumë vëmendje këtyre “non-papers”. E dimë se çka ka prapa tyre për të përhapur frikën dhe për të provokuar”, tha Cramon /abcnews.al/