Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në mbledhjen e sotme zhvilluar në Komitetin e Jashtëm të Parlamentit Europian prezantoi katër hapa për rifillimin e dialogut me Serbinë.
Gjatë fjalës së tij ai theksoi se i qëndron dialogut me parime të drejtë dhe të barabartë.
Lexo edhe: “S’mund të trajtohemi si fqinjë”, Kurti në PE: BE të shpëtojë dhe të ndërtojë Ballkanin Perëndimor
“Së pari është pranimi i realitetit. Pavarësia e Kosovës në bazë të Ahtisarit, dhe hapja e kësaj pako do të thotë hapje e listës së dëshirave dhe shkëputjeve që do të çonin në ngjarje të paparashikuara.
E dyta është pranimi i të vërtetës. Serbia duhet të pranoj krimet e të kaluarës. Për të parandaluar gjenocidin NATO është dashur ta bombardoj Beogradin sepse ishte ai me regjimin e tij që kishte kryer gjenocid në Kosovë. Kishte aparat shtetëror dhe zyrtar qeveritar dhe një zinxhir komande, por edhe pas luftës në Kosovë qeveria e re në Serbi nuk është distancuar nga Millosheviçi dhe krimet e të kaluarës. Duke mos u distancuar nga krimet e luftës Serbia po identifikohet në to.
Së treti është barazia e përfaqësuesve, në çdo tryezë ulemi si të barabartë për të zgjidhur çështjet… Parimi i katërt është se qytetarët duhet të jenë përfitues përfundimtar”, tha kryeministri i Kosovës.
Gjithashtu Kurti, shtoi se Kosova do normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.
/abcnews.al/