Christoph Metzelder, nënkampion bote dhe Europe me Gjermaninë, është dënuar me 10 muaj burg me kusht, pasi ka pranuar akuzat për shpërndarje të materialeve pornografike me fëmijë.
Ish-mbrojtësi i Gjermanisë, i cili ka luajtur me Real Madrid dhe Borussia Dortmund, ka dalë para trupës gjykuese në një gjykatë në Dyseldorf.
“Kam marrë foto nga imazhet inkriminuese në faqet e internetit, që merren lirisht në internet, dhe kam folur për fantazi ekstreme.
Nuk kishte sulme ndaj fëmijëve dhe të rinjve dhe asgjë nuk ishte e planifikuar, megjithëse komentet kanë qenë ekstreme. E gjitha u zhvillua në një botë dixhitale paralele.
Unë e pranoj dënimin dhe kërkoj falje për viktimat e dhunës seksuale dhe do më duhet të jetoj me këtë faj përgjatë gjithë jetës sime si pjesë e shoqërisë”, ka thënë Metzelder.
Ish-mbrojtësi kishte shpërndarë 18 skedarë, ndërkohë që i ishin gjetur edhe 297 imazhe në telefonin. Një grua në Hamburg ishte ajo që kontaktoi në shtator të vitit 2019 policinë, pasi pretendoi se kishte marrë imazhe të ndryshme në Whatsapp.
Metzelder e kishte mbyllur me futbollin në vitin 2014, ndërkohë që avokati i tij, Ulrich Sommer, një javë më parë deklaronte për RTL:
“Ai e di se çfarë ka bërë dhe po ndjek një terapi. Gjithashtu ai e di se është gabim dhe se duhet të përballet me përgjegjësitë e tij”. /abcnews.al