Brataj tregon efektet anësore të vaksinës, Albana Fico apel qytetarëve: Beteja nuk ka mbaruar

schedule14:20 - 29 Prill, 2021

schedule 14:20 - 29 Prill, 2021

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik Albana Fico ka deklaruar se incidenca dyjavore ka pasur një ulje të rasteve të reja sa i përket infeksioneve me COVID në një mesatare për 100 mijë banorë. Ajo theksoi se rënie ka pësuar edhe numri i rasteve aktive.

“Monitorojmë situatë mbani disa indikatorë. Incidenca dy javore ka pësuar një ulje të rasteve të reja për 100 mijë banorë. Mesatarja javore ka rënë në 135. Numri i rasteve aktive ka qenë 25 000, sot jemi me 20 156. Numri i personave të shtruar në spitalet COVID ka pësuar ulje.

Numri i fataliteteve mbetet konstant. Deri dje janë vaksinuar 433 628 persona. Disa qarqe që ne i kemi vlerësuar dhe i kemi akoma në vlerësim nuk kanë pësuar ndryshime të ndjeshme. Gjej rastin që përmes këtij komunikim të bëj apel që nuk ka përfunduar beteja me Sars-COV-2. Duhet respektuar mbajtja e maskës dhe distancimi social. Detektimi i rasteve të reja duhet të vijojë”, deklaroi Fico.

Ndërkohë kreu i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj u shpreh se ka pasur një rritje të lehtë të vizitave në banesë. Brataj u ndal edhe tek raportimet për efektet anësore të vaksinës, duke theksuar se shenjat kryesore kanë qenë temperaturë dhe lodhje.

“Nga monitorimi që 127 i bën situatës ka një rritje të lehtë të thirrjeve në Urgjencën Mjekësor. Ka një rritje të lehtë të vizitave në banesë. Shtrimet në spital kanë një rritje të vogël përkthyer në numra. Kjo nuk ndikon në numrin e shtretërve që kemi në dispozicion. Nga 129 raportime për efekte anësore të vaksinës predominon temperatura, lodhja. Qytetarët nëse kanë probleme të vazhdojnë raportimin te mjeku i familjes”, u shpreh Brataj./mv.abcnews.al