Andriy Shevchenko mbetet një emër shumë i dashur për tifozët e Milanit. Ish-fituesi i “Topit të Artë” me kuqezinjtë, aktualisht trajner i Ukrainës, ka dhënë një rrëfim për Corriere della Sera. Ish-sulmuesi i madh veshi fanellën e “Djallit” për shtatë sezone radhazi.
Sheva kujton momentin kur la Dinamo e Kievit për t’u transferuar te Milani. Ishte vera e vitit 1999 dhe 44-vjeçari ukrainas zbulon një prapaskenë interesante. “Herën e parë që firmosa me Milanin, flas për kontratën e vërtetë, refuzova të shihja shifrat që ishin shkruar në të.
Kalova te Milani falë Ariedo Braidës, ai pa diçka që as unë nuk e dija se e kisha. Kur ftoi Gallianin në Ukrainë për të më parë, unë luajta një ndeshje të tmerrshme, por Braida më mbrojti. Më solli një fanellë të Milanit me emrin tim kur erdhi në shtëpinë time për të më bindur të firmosja.
‘Do të fitosh Topin e Artë me këtë fanellë’, më tha Braida. Unë dhe babai im qeshëm, por ai kishte të drejtë”, kujton Sheva, i cili tregon edhe sekretin e kuqezinjve fantastikë të Carlo Ancelottit.
Suksesi ynë nuk erdhi prej talentit, por nga cilësitë njerëzorë të individëve që ishin pjesë e Milanit. Ishim një grup njerëzisht inteligjentë. E shihni ku jemi sot? Pothuajse të gjithë punojnë si trajnerë ose si drejtues klubesh“, deklaron Andriy Shevchenko. /abcnews.al