Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi mëngjesin e kësaj të mërkure ka reaguar për herë të parë në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit ku ajo fitoi vetëm 4 mandate.
Kryemadhi ia faturoi humbjen një strategjie të gabuar të LSI, duke nisur nga djegia e mandateve e përfunduar në mospjesëmarrja në zgjedhjet lokale të 2019-ës.
Në deklaratën e saj për mediat ajo tha se shqetësimi i Presidentit Ilir Meta ishte i drejtë.
Gjithashtu ajo i ka kërkuar falje falje për këtë fakt, veprim dhe qëndrim që nuk solli gjë tjetër vetëm 70% të ndryshimit, por solli rrëmbimin dhe fitoren e zgjedhjeve nga bandat kriminale dhe oligarkët.
“Së pari, dua të uroj fitoren e oligarkëve dhe bandave, sepse ata janë fituesit e vërtetë të zgjedhjeve që sapo kaluam dhe ata janë të parët që duhen uruar.
Së dyti, uroj Presidentin Vuçiç për sondazhet e sakta që dha për zgjedhjet në Shqipëri.
Sot u mbyllën rezultatet e zgjedhjeve për mandatet e partive politike. Dua të falënderoj 107 mijë votuesit e vlefshëm, që ia dhanë votën LSI-së dhe dua të falënderoj edhe 21 mijë votuesit e pavlefshëm, ku 70 për qind e tyre janë votues të LSI-së.
Ky vjen një falënderim zemre, një falënderim shpirti për të gjithë të rinjtë dhe të rejat, për gjithë burrat dhe gratë, të cilët nuk pranuan as të intimidohen, as të shiten. Nuk u trembën nga kërcënimet, por përkundrazi vazhduan betejën e tyre deri në fund.
Makineria mediatike kundër LSI-së, politike, mediatike, oligarkike, e cila nuk u tërhoq në asnjë moment prej dy vitesh, që në momentin kur ne, si LSI, fatkeqësisht zbatuam një strategji, e cila pati pasojat në këtë rezultat dhe që nuk reflektoi vullnetin e qytetarëve për ndryshim, ku patëm një strategji të gabuar, duke filluar që nga djegia e mandateve, mos marrja pjesë në zgjedhjet lokale, gjë që në mënyrë të qëllimshme, i dhamë dashje pa dashje të gjitha pushtetet në dorë Edi Ramës, bandave dhe oligarkëve për të tjetërsuar që nga Kushtetuta, për të vazhduar në rrëmbimin dhe grabitjen e pronave të shqiptarëve. Për t’ju dhënë shansin dhe mundësinë jo për të blerë katër vitet e ardhshme me 500 euro votën, por për të blerë 100 vitet e ardhshme me 500 euro votën.
Kjo gjë dhe koha, dhe ky rezultat tregoi që shqetësimi i Presidentit të Republikës ishte i drejtë, për këtë situatë në të cilën ne gjendemi sot. Prandaj, dua që edhe në emër të LSI, edhe timin personal, ti kërkoj falje për këtë çast, për këtë veprim dhe për këtë qëndrim, i cili nuk solli gjë tjetër veçse 70 për qind të ndryshimit që donin shqiptarët, 70 për qind të shqiptarëve që donin ndryshimin, nuk solli gjë tjetër, por solli vetëm rrëmbimin dhe fitoren e zgjedhjeve nga bandat kriminale dhe nga oligarkët.
LSI dhe qytetarët ishin përballë një pabesie të madhe përballë këtyre zgjedhjeve, e cila deformoi thellë vullnetin e tyre, e vuri Shqipërinë në një udhëkryq shumë të rrezikshëm. Ajo i dha hapësirë tashmë dhe frymë bandave, krimit, i dha hapësirë dhe mundësi lëvizjeje oligarkëve dhe mediave të kapura nga oligarkët, në mënyrë të tillë për të tjetërsuar dhe për të shformuar çdo qëndrim të qytetarëve shqiptarë.
Ne mbetemi të palëkundur në të gjithë këtë proces dhe jo vetëm që nuk do të tërhiqemi, por do ta vazhdojmë betejën tonë edhe më tutje.
LSI nuk do të jetë vetëm në Parlament, por do të jetë në sheshe, do të jetë në çdo qytet dhe do të jetë në shtëpitë e qytetarëve shqiptarë. LSI do të vazhdojë denoncimet e saj për çdo manipulim dhe për çdo tjetërsim vote që është bërë në këtë proces. LSI do të vazhdojë në mënyrë të pashtershme, duke filluar që sot, për ta çuar deri në fund betejën e procesit zgjedhor.
Ju bëj thirrje të gjithë numëruesve dhe anëtareve të KZAZ-së të jenë vigjilentë sepse në Durrës, ku Edi Rama merr mandatin e Elona Gurit vetëm me 139 vota, deri tani kanë dalë mbi 15 fletë të pavlefshme të numëruara për Partinë Socialiste. Prandaj në Berat, në Korçë, në Durrës, kudo, numëruesit dhe komisionerët tanë të numërojnë çdo votë të Lëvizjes Socialiste për Integrim për kandidatët, të Partisë Socialiste për kandidatët dhe të Partisë Demokratike për kandidatët. Sepse tradhtia më e madhe vjen në tre mandatet e Beratit, të Korçës dhe të Durrësit, ku mandate të cilat i janë grabitur LSI-së, për të nxjerrë Edi Ramën në Durrës, pra për 140 vota i hiqet mandati LSI-së dhe i jepet Edi Ramës, pra e kuptoni simbolikën e rëndësishme. Për 150 vota i hiqet mandati Endrit Braimllarit dhe i jepet Niko Peleshit, e kuptoni simbolikën. Dhe tjetërsohet rezultati për 30 vota, në të qindtën e sekondës, duke i hequr mandatin Ardit Çelës dhe duke ja dhënë Blendi Klosit. Prandaj kjo është tradhtia më e madhe vetëm në tre mandate, pa llogaritur të gjithë procesin zgjedhor.
Prandaj numëruesit dhe komisonerët tanë të vazhdojnë betejën deri në fund, jo vetëm për të legjitimuar të gjitha grabitjet e votave të LSI-së, por edhe për të nxjerrë të gjitha ato vota të pavlefshme, që janë të numëruara për Partinë Socialiste. Ky proces i manipuluar para, gjatë dhe pas votimit, që nga ndryshimet e njëanshme kushtetuese, për të cilat ne e dimë shumë mirë sesi u luajt dhe sesi u veprua, në dhunimin e Kushtetutës në mënyrën më flagrante, në përdorimin e Policisë së Shtetit dhe të Prokurorisë për të intimiduar, kërcënuar dhe frikësuar mbështetësit e LSI-së, saqë dhe për të blerë bukën mbështetësit e LSI nuk kishin dot mundësi për të pasur para në xhep. ”, tha ajo.e.su./abcnews.al