Nga Erisa Zykaj
Përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Europian, Josep Borrel ka pranuar se është njohur me brendësinë e dokumentit jozyrtar slloven për ndryshimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor, por ka mohuar ta ketë parë këtë dokument. Ai ka deklaruar gjatë një konference për shtypit me presidentin serb, Aleksander Vuçiç në Bruksel, se nuk e ka parë një dokument të tillë, por ka dëgjuar për të. Ai i është referuar dokumentit jozyrtar slloven me humor si dokument “fantazëm”. Shefi i diplomacisë europiane, Josep Borrel ka deklaruar, se nëse një dokument i tillë ekziston, ai nuk përbën çështje.
Borrel është shprehur se Bashkimi Europian vazhdon që të japë mbështetjen e tij të qartë për integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës, ashtu si dhe të gjitha shteteve të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Për Borrel, në vend të trajtimit të çështjeve për ndryshimin e kufinjve, vëmendja duhet përqendruar në çështje me vlerë dhe që funksionojnë si integrimin europian i Bosnjë-Hercegovinës e rajonit dhe jo debatit rreth ideve që shpërqendrojnë vëmendjen nga objektivi kryesor i integrimit të të gjitha shteteve tê Ballkanit Perëndimor në BE.
Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç ka bërë të ditur, se nuk ka pasur rastin të flasë me kryeministrin e Sllovenisë për dokumentin jo zyrtar mbi ndryshimin e kufijve nê Ballkan. Ai është shprehur, se ndryshe nga të tjerë, ai është i hapur mbi çdo debat, pasi sipas tij, nuk po jetojmë në periudhën e inkuzicionit mesjetar, por në një periudhë ku fokusi kryesor shkon te bashkëpunimi ekonomik, te integrimi europian. Ai ka thënë se e njeh integritetin e Bosnjë-Hercegovinës, ashtu si dhe integritetin e Republikës Serbe brenda saj. Vuçiç ka mohuar që ky dokument t’i jetë prezantuar, duke thënë se nuk mund të gënjejë duke dënuar dikë që ka bërë diçka të tillë, meqë nuk ka parë dokumentin./ Abcnews.al