Marrëveshja e detit me Greqinë do shkojë në parlament edhe pse vendi nuk ka gjykatë kushtetuese. Gjatë një interviste për “Real Story” në Vizion Plus, kryeministri Rama iu përgjigj kështu deklaratës publike të kreut të shtetit, se sa kohë vendi është pa gjykatë kushtetuese marrëveshja nuk duhet të ratifikohet në kuvend.
Kryeministri pranoi se ka marrë një letër nga një anëtar i grupit negociator shqiptar, njëlloj si presidenti Meta, ku i thuhet se ecuria e bisedimeve nuk është e favorshme për Shqipërinë, e nuk duhet avancuar pa patur efektive Gjykatën Kushtetuese. Por shefi i qeverisë i konsideroi normale si rezerva, e shprehu besimin se pala shqipatare do dilte me sukses nga marrëveshja. Rama tha se parlamenti është sovran për ta ratifikuar marrëveshjen.
“Eshtë e vërtetë se Gjykata Kushtetuese nuk funksionon, por kurdo që ajo të vihet në punë, i ka të gjitha mundësitë ta gjykojë marrëveshjen me Greqinë”, tha kryeministri, që nënvizoi se pavarësisht këtij qëndrimi të kundërt, nuk sheh asnjë tendencë penguese nga presidenti.
Kryeministri e konsideroi një konspiracion politik rastin e Xhisiela Malokut, e shfrytëzuar sipas tij nga oficeri Emiljano Nuhu e Partia Demokratike. Rama tha se nuk ka asnjë provë të asnjë interference politike në këtë cështje, por ka një provë të modelit të tij qeverisës, që djali i një deputeti është vënë pas hekurave. Pa dhënë detaje, Kryeministri tha se tek audiopërgjimi i Babales, shumë gjera do dalin, e së shpejti do mësohet një e vërtetë që do i habisë të gjithë.
Kryeministri u shpreh i vendosur ta finalizojë paketën antishpifje, ku secili sipas tij, do mbajë përgjegjësi për shpifjet, edhe ata që i botojnë ato. /abcnews.al