Lojërat Olimpike do të zhvillohen në Tokio këtë verë. Plot 15.400 atletë Olimpikë dhe Para Olimpikë do të marrin pjesë në kompeticionin që do të zhvillohet në kryeqytetin e Japonisë prej datës 23 korrik deri më 8 gusht.
Pandemia vazhdon të marrë jetë njerëzish dhe të shkaktojë probleme të mëdha, teksa shteti i njohur aziatik është futur në gjendje të jashtëzakonshme për herë të tretë si pasojë e shtimit të personave të infektuar me Covid-19.
Rreth 10 mijë të vdekur ka shkaktuar koronavirusi në Japoni, ndërsa procesi i vaksinimit po ecën me ritme të ngadalta. Organizatorët e Lojërave Olimpike në bashkëpunim me IOC (Komiteti Olimpik Ndërkombëtar) do të zbulojnë këtë javë planin e ri të masave.
Në protokollet e rinj do të ketë shtim të testeve ditore ndaj atletëve, ndërsa do të hiqet fare detyrimi prej 14 ditësh karantinë në momentin që ndodh mbërritja në Japoni. Në këtë mënyrë, atletët do të kenë mundësinë të nisin menjëherë stërvitjen.
Sipas raportimeve që vijnë nga Kyodo News, atletët dhe pjesëtarët e stafeve do t’i nënshtrohen testeve dy herë në 96 orë, përveç tamponit që bëjnë menjëherë sapo zbarkojnë në Japoni. /abcnews.al