Mali i Zi kundërshton qeverinë e Kosovës për dërgimin e marrëveshjes së demarkacionit në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit. Ministri i Jashtëm i qeverisë së Podgoricës thotë se shënjimi i kufirit me Kosovën është punë e kryer.
Ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Srdjan Darmanoviç, është shprehur kundër vendimit te autoriteteve koosvare per dërgimin e marrëveshjes së kufirit në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit. Darmanoviç në një konferencë për shtyp nënvizoi se Mali i Zi e konsideron të mbyllur çështjen e demarkacionit me Kosovën.
Srdjan Darmanoviç, ministër i Jashtëm i Malit të Zi: “Sa i përket arbitrazhit eventual ndërkombëtar, për arbitrazh duhet pajtimi i dy palëve. Ndërsa unë u kam thënë se ne këtë punë e kemi kryer. Nuk kam çfarë t’i shtoj asaj që kam thënë disa herë rreth kësaj teme. Ne kemi bërë gjithçka që është dashur të bëjmë”.
Ai ka shpjeguar se Mali Zi ka shkuar sipas procedurave të nevojshme, duke finalizuar me ratifikimin e marrëveshjes në Parlamentin e tij. Kjo është edhe pika e fundit e angazhimit të Malit të Zi rreth kufirit me Kosovën. Darmanoviç nuk i jep asnjë mundësi anulimit të marrëveshjes që është miratuar në Parlamentin e tyre, pasi siç thotë ai, kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në Mal të Zi. Ai shtoi se qeveria e Podgoricës nuk do të marrë asnjë hap tjetër për demarkacionin. Ndërsa shton se nuk do t’i bëjë presion Kosovës dhe se do të presë derisa Prishtina të zgjidhë këtë çështje në Kuvend.
Nga ana tjetër, shënjimi i kufirit ka shkaktuar trazira politike në qeverinë e Kosovës. Kryeministri Ramush Haradinaj thotë se marrëveshja e demarkacionit nuk do të ratifikohet ashtu siç është nënshkruar në vitin 2015 dhe se do të rinegociohet pas punës së komisionit të angazhuar për rishikim të kufirit. Por kështu nuk mendon dhe ministri i Jashtem Behgjet Pacolli, i cili në mbledhjen e komision për Punë të Jashtme tha se për Malin e Zi, demarkacioni është punë e kryer dhe e panegociueshme. Versioni i parë i shënjimit të kufirit me këtë vend fqinj të Kosovës është pranuar edhe nga presidenti Hashim Thaçi, SHBA dhe BE. Vlerësimi i fundit i Komisionit për Shënjimin e Kufirit zbuloi se Kosova ka humbur territor në marrëveshjen e arritur nga qeveria e mëparshme. Këtë qëndrim ka mbajtur Haradinaj dhe kur ishte në opozitë. Por tashmë edhe në drejtim të qeverisë duket se nuk do të ndryshojë asgjë, pasi edhe mundësia e arbitrazhit nuk është më./abcnews.al