Një ditë pas protestës në fshatin Mengël, ku u bllokua për disa orë dhe aksi kombëtar Elbasan-Librazhd, Policia e Shtetit bën të ditur se janë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për deputetin e PD-së Luçiano Boçi si dhe ndaj disa shtetasve të tjerë, të moshës nga 25 deri në 60 vjeç. Ata janë referuar për veprat penale: “Shtyrja e të miturve në krim”, “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullimin e manifestim të paligjshëm”, “Kundërshtim i punonjësve të policisë”, dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Policia e Shtetit thekson edhe njëherë se nuk ka ushtruar asnjë lloj dhune, ndaj asnjë fëmije. Sipas saj është pyetur në prani të të afërmve dhe psikologes, i mituri që u shfaq në disa media si i keqtrajtuar. Është kryer një akt ekspertimi për fëmijën, si dhe janë marrë në shqyrtim pamjet filmike në dispozicion. Nga të gjitha veprimet proceduriale të kryera, nuk rezulton që fëmija të jetë keqtrajtuar nga Policia apo të ketë ndonjë dëmtim, thuhet në reagimin e Policisë së Shtetit./abcnews.al