Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, përmes një vendimi të marrë të mërkurën, ka urdhëruar administratën amerikane që të lehtësojë sanksionet ndaj Iranit. Por në reagimin e tij, Uashingtoni zyrtar ka deklaruar se gjykata nuk ka juridiksion në Shtetet e Bashkuara.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka urdhëruar Shtetet e Bashkuara që të lehtësojnë sanksionet e rivendosura ndaj Iranit, pas tërheqjes nga marrëveshja bërthamore.
Duke u rreshtuar përkrah Teheranit, gjykata ka deklaruar se ndihmat humanitare si ushqimi dhe medikamentet duhet të lejohen të hyjnë në Republikën Islamike. Por pavarësisht vendimit, gjykata me seli në Hagë nuk ka kompetenca për ta imponuar atë.
Në këtë aspekt, administrata amerikane ka argumentuar se instanca nuk ka juridiksion kur bëhet fjalë për çështje të sigurisë kombëtare. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është organ nën vartësinë e Kombeve të Bashkuara dhe shërben për zgjidhjen e problemeve mes vendeve anëtare të Organizatës.
Megjithatë, më parë, si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Irani i kanë injoruar vendimet e saj. Duke reaguar, Ministria e Jashtme në Teheran ka deklaruar se, vendimi i jep të drejtë Republikës Islamike dhe delegjitimon veprimet agresive amerikane.
Ndërsa ambasadori amerikan në Holandë, Pit Hekstra është shprehur se, gjykata dështoi në garantimin e masave paralele që duhet të ndërmarrë Irani dhe e ka quajtur procesin të dështuar.
Ekonomia iraniane është dobësuar ndjeshëm që kur presidenti Donald Trump urdhëroi rivendosjen e sanksioneve në muajin Maj. Masat drastike kanë bërë që valuta vendase, riali, të humbasë vlerën e saj./abcnews.al