Zgjedhjet/ 348 policë në gatishmëri, policia e Beratit merr në mbrojtje qendrat e votimit e të numërimit

schedule18:59 - 24 Prill, 2021

schedule 18:59 - 24 Prill, 2021

Në prag të zgjedhjeve të 25 prillit, policia e Beratit ka njoftuar se ka marrë të gjitha masat që të ruhen qendrat e votimit.

Drejtoria Vendore e Policisë Berat njofton se në zbatim të detyrave institucionale që i ngarkon ligji në kuadër të procesit zgjedhor për Kuvendin e Shqipërisë, Policia e Beratit po kryen me angazhim maksimal dhe përgjegjësi detyrat e saj.

Nga strukturat e Policisë Berat janë marrë në ruajtje të gjitha objektet zgjedhore në të gjithë territorin e qarkut.

Punonjësit e policisë janë paraqitur sipas detyrës së përcaktuar pranë këtyre objekteve, për ti marrë në ruajtje.

Nga shërbimet e policisë janë marrë në ruajtje në të gjithë territorin e qarkut:

-277 Qendra Votimi

-6 Komisione Zonale të Administrimit Zgjedhor

-6 Vendnumërim të Votave

Për ruajtjen e KZAZ-ve dhe Qendrave të Votimit, Drejtoria Vendore e Policisë Berat, ka angazhuar 348 punonjës policie.

Ruajtja e Objekteve Zgjedhore do të vazhdojë deri në orën 06:00 të datës 25.04.2021, kur pranë tyre do të fillojnë normalisht punën Komisionet e Qendrave të Votimit dhe Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor.

Pranë strukturës vendore të Policisë funksionon grupi i drejtim – koordinimit, i cili është ngritur për menaxhimin e përpunimin e shpejtë të informacionit dhe për një komunkim sa më efikas dhe në kohë reale me median e publikun.

Policia e Beratit, ka marrë të gjitha masat për krijimin e kushteve që qytetarët të votojnë të lirë dhe të qetë.