Vrasja e Xhuvanit, 60’ para mitingut të Bashës, FNSH mësyn te zyrat e shtabit të PD në Elbasan

schedule16:11 - 23 Prill, 2021

schedule 16:11 - 23 Prill, 2021

Dy ditë pas vrasjes së Pjerin Xhuvanit dhe dy ditë para zgjedhjeve të 25 Prillit situata në Elbasan është më e tensionuar se kurrë më parë. Gazetari i ABC në Elbasan, Aldo Kozarja raporton se pasditen e sotme forcat e FNSH-së kanë mësyrë pranë zyrave të shtabit PD. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtës kontrolluan mjetet e parkuara pranë zyrës dhe anëtarët e PD.

Drejtuesi politik i PD-së në Elbasan Gazment Bardhi është hakërryer kundër efektivëve duke u kërkuar shpjegime se cfarë gjetën në makinë, ndërsa u kërkoi që të shkonin te bandat dhe jo te zyrat e shtabit të PD-së, ku dy ditë më parë ndodhi ngjarja e rëndë.

Këtu, këtu nuk ke për të ikur, cfarë gjete në makinën që kontrollove? Procesverbal, cfarë gjete në makinë? Për cfarë e kontrollove makinën? Për cfarë erdhe në shtabin e forcës më të madhe politike opozitare? Bandat, bandat, shkoni atje, jo në shtabin tim. Makina është e pastër. Shkoni te bandat” u tha Bardhi i irrituar efektivëve të policisë.

Aksioni blic i policisë pranë zyrave të shtabit të PD-së u krye vetëm një orë përpara vizitës së Lulzim Bashës në Elbasan, ku në 17:00 do të ketë mitingun përmbyllës të fushatës elektorale.

Por si ndodhi ekzekutimi në Elbasan?

Dy ditë më parë rreth orës 14:00 në lagjen “5 Maji” përpara zyrës elektorale të PD-së në Elbasan ndodhi përplasja me armë me prapavijë politike. Në përfshirë ishin dy grupe, PS dhe PD. Nga grupi i PS-së, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit humbi jetën Pjerin Xhuvani dhe u plagos dhëndri i tij Eltjon Bodinaku.

Ndërkohë që nga grupi i PD-së u plagosën Emiljan Prenga 39 vjeç dhe Pavlo Vuksani 50 vjeç. Autori i vrasjes së Xhuvanit sipas policisë është Arbër Papleka, gjithashtu pjesë e strukturës së mbrojtjes së votës pranë PD-së në Elbasan.

Konflikti mes palëve nisi pas denoncimit të grupit të PD-së se në zonën e “5 Majit” po lëvizte një makinë ku socialistët po shpërndanin lekë për zgjedhjet. / db/ Abcnews.al