Presidentja e vendit, Vjosa Osmani pas takimit me ministrin e Jashtëm të Gjermanisë në fjalën e saj ka sjellë në vëmendje ndikim rus në rajon.
Osmani deklaroi se Rusia e ka shtrirë ndikimin e saj në katër fronte. Ndër të tjera ajo ka përmendur edhe vaksinat anti Covid.
“Për fat të keq, ndikimi rus në rajonin tonë vazhdon të jetë i mundur nëpërmjet Serbisë dhe është bërë në katër fronte kryesore, ekonomi, politikë, ushtarakisht nëpërmjet furnizimeve ushtarake dhe kjo nëpërmjet vaksinave. RKS i ka qëndruar besnike orientimit strategjik pro-përendimor. I ka qëndruar lojale SHBA-ve dhe BE-së duke mos pranuar vaksina nga Rusia. Nganjëherë duket se ndëshkohemi me një qasje të tillë, mirëpo qëndrojmë stoik në një qëndrim të tillë”, tha ajo.
Ndër të tjera ajo tha se largimi i ndikimi rus lidhet edhe me fatin e Kosovës dhe përpjekjet e BE-së për rajonin.
“ Edhe bashkëpunimi ynë sa i përket vaksinave është një bashkëpunim evropian. Sa më shumë që BE e përkrah rajonin tonë në procesin e integrimit, aq më shumë do ta largojë ndikimin rus në rajon. Prandaj është e rëndësishme që BE-ja ta mbajë fjalën në liberalizimin e vizave dhe Gjermania të ketë një rol në këtë rast. Shpresojmë shumë që Gjermania të na ndihmojë në ato shtetet të cilat kanë dyshime për liberalizimin e vizave, mirëpo edhe në integrimin evropian”, është shprehur presidentja./abcnews.al