Karantina e emigrantëve para zgjedhjeve, Avokati i Popullit: Anuloni vendimin, qytetarët kanë të drejtën e votës

schedule22:28 - 21 Prill, 2021

schedule 22:28 - 21 Prill, 2021

Avokatja e Popullit Erinda Ballanca ka reaguar në lidhje me karantinën dy javore të shtetasve shqiptarë që vijnë nga Maqedonia dhe Greqia për zgjedhjet e 25 prillit.

Avokati i popullit përmes një postimi në rrjetin social Facebook, kërkon anulimin e karantinës së shtetasve që vijnë nga Greqia dhe nga Maqedonia e Veriut për të ushtruar të drejtën kushtetuese të votës.

Sipas një ankese të paraqitur nga shoqata të ndryshme të emigrantëve pranë institucionit të Avokatit të Popullit theksohet se masa e propozuar së fundmi nga ministria e Shëndetësisë dhe Komiteti teknik,  pengon dhe në fakt u mohon të drejtën e votës atyre emigrantëve që duan të ushtrojnë këtë të drejtë themelore në zgjedhjet e 25 Prillit.

Nisur nga një shqyrtim i hollësishëm i kuadrit të të drejtave të njeriut dhe praktika ndërkombëtare, Avokati i Popullit ka rekomanduar fillimin dhe përfundimin e menjëhershëm, të procedurës administrative për anulimin e karantinës dhe lejimin e emigrantëve të ushtrojnë të drejtën e tyre Kushtetuese.

Postimi i plotë:

Avokati i Popullit kerkon anullimin e karantinimit te shtetasve qe vijne nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut

Avokati i Popullit kërkon anullimin e urdhërit që pamundëson pjesëmarrjen e qytetarëve shqiptarë që vijnë nga Greqia ose Maqedonia e Veriut për të ushtruar të drejtën kushtetuese të votës.

Në një rekomandim dërguar Ministrisë së Shëndetësisë, KQZ-së dhe Komitetit Teknik të Ekspertëve, Avokati i Popullit ka kërkuar anullimin tërësisht e menjëherë të Urdhërit nr.219 datë 19.04.2021 “Për karantinimin e personave që vijnë në Republikën e Shqipërisë nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Greqia”.

Pranë institucionit të Avokatit të Popullit, një grup shoqatash të emigrantëve shqiptarë në Greqi kanë paraqitur një ankesë, në të cilën shprehet shqetësimi për propozimin më të fundit të Komitetit Teknik të Ekspertëve (Komiteti i Përkohshëm për Infeksionin e Përhapur nga Coronavirus i ri) , për vendosjen e një periudhe prej 2 javësh për emigrantët shqiptarë që jetojnë në Greqi, nëse ata do të vijnë në Shqipëri gjatë kësaj kohe.

Sipas ankesës, kjo masë e propozuar pengon dhe në fakt u mohon të drejtën e votës atyre emigrantëve që duan të ushtrojnë këtë të drejtë themelore në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, që do të zhvillohen në datën 25 Prill 2021. Në ankesë, kjo masë e propozuar shihet edhe si një trajtim diskriminues ndaj tyre, pasi emigrantët shqiptarë që jetojnë në vende të tjera lejohen të hyjnë pa u karantinuar në Shqipëri, ndërsa emigrantët shqiptarë në Greqi, jo.

Nisur nga një shqyrtim i hollësishëm i kuadrit të të drejtave të njeriut dhe praktika ndërkombëtare, Avokati i Popullit ka rekomanduar fillimin dhe përfundimin e menjëhershëm, të procedurës administrative për anulimin kryesisht, nëpërmjet nxjerrjes së një akti të ri me shkrim, që anulon tërësisht  Urdhërin nr.219 datë 19.04.2021 “Për karantinimin e personave që vijnë në Republikën e Shqipërisë nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Greqia”, si dhe marrjen e masave për të mos penguar në menyrë sproporcionale qytetarët shqiptarë që jetojnë apo punojnë në Republikën e Greqisë apo Republikën e Maqedonisë së Veriut nga e drejta kushtetuese e votës./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!