Më e fortë se kurrë por mes shumë emocionesh, Flutura Açka flet për figurat mashkullore që shenjuan jetën e saj

schedule22:23 - 21 Prill, 2021

schedule 22:23 - 21 Prill, 2021

Me dhimbjen që i lexohej qartë në sy, shkrimtarja e njohur, Flutura Açka, dhuroi emocione të forta në rubrikën “Cili je ti more burrë”, në “E ardhmja është vajzë”, teksa foli për dy meshkujt më të rëndësishëm në jetën e saj, i ati dhe i biri. Flutura humbi të birin në maj të 2018 pas një betejë që ai pati me një sëmundje të rrallë e të rëndë.

Përtej dhimbjes për humbjen e birit, shkrimtarja ka gjetur forcën të vijojë përpara dhe të ndajë me të gjithë përjetimin më të hidhur të jetës me të tjerët duke u kthyer në një frymëzim për të gjithë. “Im atë ka qenë një model shumë i fortë në jetën time. Kujdesi i tij për të treguar ato gjëra që janë zona të errëta të njeriut… m’i ka treguar shumë herët. Për babain kam një dobësi akute.

Dhe njeriu i dytë që e ka formësuar jetën time, por e ka formësuar atëherë kur unë nuk e dija, vonë, është im bir. Këto dy njerëz kanë ngatërruar vendet në kohë, për arsye që vetëm Zoti i di. Më ka dhënë modelin e njeriut që edhe duke ikur ti duhet të ikësh me dinjitet. Ai që di të rrojë më dinjitet, di edhe të vdesë më dinjitet. Im bir arriti ta vendoste këtë balancë që ndonjëherë ka përkulur edhe burra.”, tha ajo.

Më tej, me fjalë rrëqethëse shkrimtarja Açka përcolli një mesazh shumë të bukur që vetë tha se e kishte mësuar nga i biri “Të jetosh me dinjitet”. “Askush prej nesh nuk është hero para vdekjes. Ne jemi qenie dramatike sepse e dimë se dikur do jetë një grackë, gracka jonë e fundit. Por ai (i biri) e përjetoi këtë grackë me dinjitet që më bëri të kuptoj se im bir ka qenë një qenie që ka ardhur të më mësojë diçka shumë të shenjtë “Të jetosh me dinjitet.” /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!