Hap fals i Milani në “San Siro”. Kuqezinjtë e Stefano Piolit humbën 1-2 përballë Sassuolos, duke vënë në rrezik real kualifikimin në Champions League për sezonin e ardhshëm.
Vendasit e nisën mirë ndeshjen dhe kaluan në avantazh pas gjysmë ore lojë. Hakan Calhanoglu tregoi klas me goditjen që përfundoi në trekëndëshin e ekipit kundërshtar.
Kaq për pjesën e parë, teksa Sassuolo mori zemër, reagoi, shënoi dy gola dhe mori tre pikët në këtë sfidë. Autori i golave ishte Giacomo Raspadori, sulmuesi i ekipit të De Zerbit.
21-vjeçari mposhti dy herë Donnarummën brenda shtatë minutave. Të parin pas një devijimi të saktë në zonë, ndërsa golin e fitores e realizoi pas një veprimi shumë të bukur.
Fitorja e sotme e konfirmon Sassuolon forcë të tetë të Serie A, ndërsa Milani mbetet në vend të dytë, pozicion që mund ta marrë Atalanta nëse ia del të mposhtë Romën në Olimpico ditën e nesërme. /abcnews.al