Juventusi ka shfaqur shumë pak këtë sezon, duke sjellë zhgënjim të madh te tifozët e shumtë. Lojë e dobët, mungesë rezultatesh pozitive, eliminim i hershëm nga Champions League dhe jashtë garës për titullin kampion.
Interi kryesues ndodhet 13 pikë larg dhe bardhezinjtë e shohin veten duke luftuar për një biletë në Champions League për sezonin e ardhshëm. Andrea Pirlo ka nevojë për kohë, por drejtuesit dhe tifozët e kanë humbur durimin.
Sport Bild raporton se kampionët në fuqi të Italisë, janë të interesuar për Hansi Flick, trajnerin që do të largohet nga Bayern Munchen në fund të sezonit. 56-vjeçari është i destinuar të marrë drejtimin e Gjermanisë.
Gjithsesi, Juventusi po tenton të shfrytëzojë shansin. Drejtuesit po përgatisin një ofertë tunduese për teknikun gjerman, i cili ka treguar aftësitë e tij te Bayern Munchen, ekip me të cilin fitoi çdo trofe të mundshëm sezonin e kaluar. /abcnews.al