Pjerin Xhuvani, aktivisti i Partisë Socialiste që u vra ditën e sotme në Elbasan ka marrë të paktën tre plumba, dy në kokë dhe një në bark Lajmi bëhet me dije nga burime për ABC. Ndërkohë dy nga personat që kanë mbetur të plagosur nga përplasja me armë, Emiljan Prenga dhe Pavlo Vuksani, pjesë e shtabit të PD-së në Elbasan, janë dërguar pasditen e sotme me urgjencë drejt Tiranës për një ndihmë të specializuar mjekësore.
Të plagosur nga kjo ngjarje mbetën edhe dy persona të tjerë, konkretisht , Eltjon Bodinaku 32 vjeç, dhëndri i Pjerin Xhuvanit dhe Xhensila Sota 27 vjeçe, punonjëse e policisë. Kjo e fundit po vijon të marrë trajtim mjekësor në spitalin e Elbasanit ku kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla deklaroi se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në lidhje me këtë ngjarje është vënë në pranga ish-efektivi i RENEA-s, Arbër Papleka i cili pasi qëlloi në Elbasan grabiti një automjet dhe erdhi në Tiranë për t’u vetëdorëzuar në repartin RENEA. Komandati i këtij reparti e dorëzoi atë në drejtorinë e Policisë së Tiranës.
Papleka ka deklaruar përpara grupit hetimor se e kreu krimi për vetëmbrojtje. Ai është shprehur se kishte shkuar në zonë pasi kishte marrë raportime se disa persona po ndani para në këmbim të votave dhe në tentativë për t’i ndaluar është “ndezur” përplasja./mv.abcnews.al