Pesë ditë para zgjedhjeve situata agravoi në Kavajë mbrëmjen e sotme mes mbështetësve të PD dhe PS. Bledar Okshtuni, sekretari i degës së Partisë Demokratike në këtë qytet mbeti i plagosur me armë zjarri brenda zyrës elektorale.
Policia ka shpallur në kërkim autorin Ndriçim Jonuzi. Uniformat blu bënë me dije se pas një konflikti verbal mes tyre, Jonuzi është futur brenda zyrës elektorale të PD në qendër të qytetit dhe ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të 27-vjeçarit Okshtuni duke e plagosur në këmbë këtë të fundit.
Lexo edhe: I dënuar në Itali, u arrestua në 2014, kush është Ndriçim Jonuzi që plagosi demokratin në Kavajë
Gara për zgjedhjet e 25 prillit është konsideruar mjaft e nxehtë, ndërkohë që pak ditë para se qytetarët t’i drejtohen kutive të votimit situata agravoi në përdorimin e armëve.
Në fakt, tensionet për 25 prillin nisën para se fushata të niste zyrtarisht më 25 mars, shkruan abcnews.al.
Përplasja e parë nisi në Tiranë, në selinë e partisë Fryma e Re Demokratike, ku bashkia i kërkonte kryetarit Sali Shehu që të lironte zyrat. Në këtë situatë u përfshi edhe presidenti Ilir Meta, i cili u përplas fizikisht me policët bashkiakë.
Më pas, tensioni zhvendoset në Elbasan. Dita e Verës, simboli i festës së qytetit u kthye në një fushë-betejë mes PS dhe PD, ku simpatizantët u përplasën fizikisht me njëri tjetrin.
Të dy palët kanë fajësuar njëri-tjetrin për provokim. Pak ditë më vonë, situata përsëritet në Elbasan, ku kandidati i PD, Luçiano Boçi u përlesh me biznesmenin Gjergj Luca. Demokrati e akuzoi biznesmenin se e kishte kërcënuar me jetë, ndërsa ky i fundit u mor në mbrojtje nga kryeministri Edi Rama.
Ndërkohë, në disa qytete të vendit janë regjistruar episode të thyerjes së xhamave të zyrave elektorale të partive. g.v/abcnews.al