Deri me tani janë numëruar rreth 98.6 % e votave të referendumit për çështjen e emrit dhe anëtarësimin në NATO në Maqedoni, i cili është karakterizuar nga një pjesëmarrje relativisht e ulët. Pro, deri me tani rezultojnë të jenë 91.48%, ndërsa kundra rezulton se kanë votuar 5.64%. Qendrat e votimit janë mbyllur në orën 19 të së dielës dhe sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja ishte mbi 36.8 për qind, kuotë që e përkthyer në shifra i bie 661 mijë e 393 qytetarë nga mbi 1 milion e 800 mijë me të drejtë vote.
Procesi është zhvilluar nën monitorimin e 12 mijë vëzhguesve vendas dhe 493 të huaj dhe gjatë tij janë regjistruar rreth 20 incidente, të cilat gjithsesi nuk kanë ndikuar në ecurinë e votimeve.
Nga të dhënat zyrtare rezulton se shumica e incidenteve u verifikuan gjatë paradites, ndërsa 6 prej tyre në orët e pasdites.
Një orë pas mbylljes së pikave të votimit ka ardhur reagimi i kryeministrit Zoran Zaev, i cili e ka cilësuar referendumin “të suksesshëm”, pavarësisht pjesëmarrjes së ulët. Duke theksuar se respekton tërësisht vullnetin e qytetarëve, Zaev ka nënvizuar se çështja do t’i kalojë Kuvendit. “Dhe nëse Kuvendi nuk e zgjidh, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, ka paralajmëruar kryeministri.
Në të njëjtën linjë, aleati i tij shqiptar Ali Ahmeti ka nënvizuar se qytetarët ia deleguan vendimmarrjen Kuvendit, por ka kundërshtuar opsionin e zgjedhjeve.
Një grup qytetarësh u mblodh para selisë së Kuvendit për të protestuar kundër marrëveshjes me Greqinë, e nënshkruar në muajin qershor në Prespë. Përmes një podiumi të vendosur përpara hyrjes së Parlamentit, qytetarët kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Zaev.
Për të parandaluar një përshkallëzim eventual të situatës, një kordon me agjentë policie është u vendos përpara hyrjes së godinës. Kryetari i partisë opozitare VMRO-DPMNE, Kristjan Miçkoski ka deklaruar se, rezultati i referendumit tregon se qytetarët hodhën poshtë marrëveshjen e turpshme dhe nuk lejuan ndryshimin e emrit dhe identitetit. /abcnews.al