Cikloni “Zorbas” sjell shkatërrim në Greqi, 3 persona të zhdukur

schedule12:17 - 30 Shtator, 2018

schedule 12:17 - 30 Shtator, 2018

3 persona janë shpallur të zhdukur në Greqi për shkak të ciklonit mesdhetar “Zorbas”. Stuhia e pazakontë ka sjellë shkatërrim dhe problem të shumta në ishuj dhe zonën bregdetare helene.

Vijon gjendja alarmante në disa zona të Greqisë për shkak të kalimit të ciklonit të pazakontë mesdhetar, të quajtur “Zorbas”. Autoritetet kanë njoftuar se nga denoncimet e familjarëve, 3 persona janë shpallur të zhdukur në ishullin Evia, në afërsi të Athinës. Pikërisht ky lokalitet është më i prekuri nga stuhia që ka sjellë shkatërrim në ishujt dhe brigjet greke.

Fshatrat dhe qytetet përreth Mesinisë në Peloponez u goditën nga Cikloni “Zorbas”, i cili shkaktoi përmbytje të shpejta dhe rrëshqitje të dheut, ndërkohë që lumenjtë morën përpara makina të shumta. Ndërsa rrugët, shtëpitë dhe dyqanet pësuan përmbytje të mëdha, veçanërisht në zonat e Corinthos, Koroni, Finikounda, dhe Methoni. Autoritetet mbyllën dhjetra rrugë pasi u përmbytën nga shirat, dhe qyteti i Argos u përmbyt pasi presioni i ujit çau argjinaturat e dy lumenjve afër.

Ciklon goditi bregun e Peloponezit jugor duke rrëzuar pemë dhe dëmtoi mjete të shumta lundruese. Në portet e Pireut, Rafinës dhe Lavrio-s të shtunën nuk u nis asnjë anije për shkak të erërave të forta që arrinin deri në 140 kilometra në orë. Ndërkohë, shumë rrugë mbeten të bllokuar. Gjithashtu autoritetet greke kanë njoftuar se metrotë dhe aeroportet në disa zona nuk do të jenë në funksion për shkak të ciklonit “Zorbas”, i cili fillimisht u konsiderua si uragan mesdhetar. Ndër të tjera, ekipet e shpëtimit i kanë bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë në vende të sigurta.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!