Mançester Junajtid pëson tjetër humbje në Premier Lige

schedule20:11 - 29 Shtator, 2018

schedule 20:11 - 29 Shtator, 2018

Zhoze Murinjo është edhe më pranë shkarkimit nga detyra, ndërsa Mançester Junajtidi pësoi një tjetër humbje. Skuadra e madhe angleze vazhdon të jetë e përçarë nga konfliktet e brendshme.

Në gati 30 vjet nuk ishte parë një nisje e tillë.

Kriza e rezultateve, dhe padyshim e lojës, nuk po i ndahet Mançester Junajtidit, me trajnerin e famshëm, Zhoze Murinjo, sërish të turpëruar keq.

Në fushën e Uest Hemit, sfida e Premier Ligës përfundoi 3-1 për vendasit, ndërsa skuadra e madhe u shfaq sërish e përçarë, e çoroditur dhe e dorëzuar.

Nëse Murinjo ishte një njeri i pashpresë në stol, Pol Pogba, ylli i mbiquajtur më i madh i “djajve të kuq”, u duk si një lojtar që kishte dalë në “Stadiumin e Londrës” për të luajtur sipas dëshirës së tij, jo siç i takon një kampioni të madh.

Nuk është shumë e qartë se përse Barcelona apo Juventusi po përpiqen ta marrin francezin.

Sidoqoftë, më keq e ka Murinjo, pasi kur mungojnë rezultatet, i pari që e pëson është trajneri, dhe jo futbollistët.

Junajtid ndodhet në mesin e tabelës, një pozicion që në vitet e arta të Sër Aleks Fergusonit as që mund të mendohej.

Ka vetëm 10 pikë pas 7 ndeshjeve, dhe madje golaverazh negativ, me 10 të shënuar e 12 të pësuar.

Diferenca me kreun tashmë është rreth 10 pikë, tepër shumë kur jemi vetëm në fund të muajit shtator.

Shpresë për kualifikim në Champions matematikisht ka plot, por nuk mund të ketë garanci për asgjë, nëse nuk shuhet konflikti Murinjo-Pogba, qoftë duke u pajtuar, qoftë duke u larguar njëri prej tyre nga “Old Trafordi”. /abcnews.al